E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësia e pushtetit gjyqësor është kushti themelor për funksionimin e shtetit ligjor.

  Sot, një pjesë e organeve të medias kanë informuar rreth debateve të fundit brenda gjyqësorit, lidhur me nevojën për rizgjedhjen e përfaqësuesve të rinj të Konferencës Kombëtare të Gjyqësorit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Lidhur me këtë shqetësim të Gjyqësorit shqiptar, Kryetarja e Kuvendit kërkoi informacion nga të zgjedhurit e Kuvendit në KLD.   Në këtë takim, Kryetarja e Kuvendit konfirmoi qëndrimin e Kuvendit në mbështetje të plotë të autonomisë së Gjyqësorit.   Pavarësia e pushtetit gjyqësor është kushti themelor për funksionimin e shtetit ligjor.   Për zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor në KLD, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka vendosur tre të pestat për ligjin për Konferencën Gjyqësore dhe kur opozita bojkoton parlamentin, është në të drejtën e trupës gjyqësore të vendit të përcaktojë vetë rregullat e zgjedhjes së përfaqësuesve të vet në KLD.   Të drejtat e Gjyqësorit për tu përfaqësuar në KLD me të zgjedhurit e tij nuk mund të pengohen, tjetërsohen dhe asgjësohen nga askush. Është në të drejtën e Gjyqësorit që të ndërmarrë çdo nismë, në përputhje me Kushtetutën e vendit, për të zëvendësuar anëtarët me mandate të skaduara dhe për të plotësuar vendet vakante në KLD.   Kushtetuta përcakton se balanca e përfaqësimit në KLD në favor të Gjyqësorit, me anëtarë të zgjedhur rregullisht dhe që përfaqësojnë vullnetin e Trupës, është parim themelor i ngritjes dhe funksionimit të KLD-së. Ky parim nuk mund të cënohet nga askush. Cënimi i tij është dhunim i drejtpërdrejtë i Kushtetutës.   Qëndrimi i Kuvendit është i prerë dhe i qartë. Ai mbështet trupën e Gjyqësorit të vendit dhe të drejtën e tij për të zgjedhur dhe zëvendësuar çdo pesë vjet përfaqësuesit e vet në KLD.
Çdo qëndrim tjetër, i kujtdo individi, i cili pengon Gjyqësorin në  ushtrimin e të drejtave të veta është antikushtetues dhe i papranueshem për Kuvendin e Shqipërisë.

 

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›