E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvillon seancë dëgjimore për sistemin e ujitjes dhe kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet

Nisur nga kërkesat e disa deputetëve, anëtarë të Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, sot u zhvillua një seancë dëgjimore me përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në lidhje me investimet e kryera për ujitjen dhe kullimin.
Zëvendësministri Ndoc Fasllia, në prezantimin e tij përpara Komisionit dha një panoramë të përgjithshme të situatës.
Sipas zotit Fasllia, investimet e brendshme në sistemin e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet për këtë vit janë 1, 6 herë më të larta se vitin e kaluar.
Duke u ndalur në strukturën e investimeve, Zëvendësministri shpjegoi se shumë investime janë orientuar për mbrojtjen nga përmbytjet dhe për ndërhyrje në hidrovore. Më tej, zoti Fasllia tha se krahas rritjes së investimeve për objekte në terren, është rritur në rreth 55 milionë lekë fondi për studime dhe projektime. kom_treg29
Zëvendësministri paraqiti edhe një pasqyrë të detajuar të investimeve për 12 rajonet në vend.
Mbledhja vijoi punimet me pyetje dhe diskutime nga ana deputetëve që kryesisht kishin të bënin me projektet e ardhshme të Ministrisë në lidhje me ujitjen, kullimin dhe mbrojtjen nga përmbytjet.
Gjatë diskutimeve u propozua ndryshimi i ligjit për këtë fushë.
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ra dakord që gjatë muajve në vazhdim të programohet një tjetër seancë dëgjimore me përfaqësuesit e Ministrisë për të njëjtën çështje.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›