E Diel, 1 Nëntor 2026

Praktikisht e pamundur

Bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit për të ashtuquajturat çështje praktike të cilat po kërkohen nga bashkësia ndërkombëtare, i ngjajnë një misioni të pamundur për shkak të pozicionit të palëve.

Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, të cilët kohëve të fundit kanë qëndruar në të dy vendet, kanë tentuar të ndajnë një varg temash nga çështja e statusit për t’i shfrytëzuar ato si terren për të nisur komunikimin mes Kosovës dhe Serbisë.

Çështjet si bashkëpunimi në polici, gjyqësi, dogana dhe për çështje të krimit të organizuar janë përmendur si një mundësi për këtë.
Madje edhe zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, James Steinberg, i cili këtyre ditëve ka qëndruar në Kosovë dhe Serbi, i ka parë këto si tema të përshtatshme për bashkëpunim mes dy palëve.
Por mes Kosovës dhe Serbisë gjithçka mbetet politikë.

Prishtina pranon të bisedojë me Serbinë vetëm si e barabartë, përderisa Beogradi duke mos njohur pavarësinë, tenton që gjithçka të shkojë përmes UNMIK’ut dhe Rezolutës 1244, me arsyetimin se ato ende ekzistojnë.
Nevoja e bisedimeve mes dy fqinjëve është përmendur edhe nga Albert Rohan, diplomat i njohur austriak dhe ish-Zëvendëskryenegociator në bisedimet për statusin e Kosovës. Rohan ka thënë në një intervistë për seksionin shqip të BBC’së se këto bisedime tashmë do të duhej të kishin filluar.

“Madje edhe në propozimin tonë, në Planin Ahtisaari, mund të gjenden propozime që për një numër çështjesh Beogradi dhe Prishtina të diskutojnë për çështjet e përbashkëta, që janë praktike. Sepse, mbi të gjitha, Kosova dhe Serbia janë fqinjë dhe çdo vend në botë ka një numër të çështjesh praktike për të diskutuar me fqinjët që nga kufiri, doganat e deri te mjedisi, transporti e kështu me radhë”, ka thënë ai.

Të dy palët thonë se dy vendet kanë nevojë për të filluar dialogun që do të trajtonte çështjet praktike, por hendeku në qëndrimet e tyre megjithatë mbetet i thellë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi ka deklaruar të hënën për Express se bisedimet për çështje praktike janë në interes të dyja palëve.

“Ne kemi shprehur nevojën tonë shumë herë për të pasur biseda për çështje të asaj natyre, por normalisht ato biseda mund të zhvillohen vetëm në kuadër të barazisë mes palëve që do të thotë si dy shtete të pavarura”, ka thënë Krasniqi.

Pikërisht për këtë, sipas tij, Serbia është duke bllokuar bisedimet.

“Dhe derisa Serbia nuk e ndërmerr një hap të tillë, ajo e bllokon mundësinë për të pasur biseda në këtë nivel”.

Serbia është duke kërkuar që gjithçka që ka të bëjë me Kosovën të shkojë përmes UNMIK’ut dhe Rezolutës 1244, për çka pala kosovare thotë se është e papranueshme.

“Nuk mund të ketë dialog kur nuk ka pajtueshmëri për formatin e barazisë mes palëve. Serbia tenton edhe takimet rajonale t’i sabotojë për shkak se nuk është e gatshme të ulet në tavolinë me Kosovën si palë e barabartë”, thotë Krasniqi.

Oliver Ivanovic, Sekretar Shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, thotë se Prishtina në bisedimet me Beogradin duhet të përfaqësohet nga UNMIK’u.

“Pala kosovare po shfrytëzon këto çështje për të promovuar pavarësinë. Pala serbe nuk e pranon këtë, prandaj është e nevojshme që të riafirmohet roli i UNMIK’ut, pasi është neutral karshi statusit”, ka thënë Ivanovic të hënën për Express.

“Nuk ka asgjë më urgjente se çështja e drejtësisë dhe e doganave, por ne nuk pranojmë të ulemi me ata që veten e prezantojnë si përfaqësues të Kosovës së pavarur. Pra, ky është kufiri ynë politik”, ka thënë Ivanovic.
Ai mohon se Beogradi ka presion nga ndërkombëtarët për t’u ulur me kosovarët, duke thënë se për pozicionin serb madje ka edhe mirëkuptim.

Edhe pse Serbia është duke u përpjekur që të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE dhe është duke dhënë sinjale bashkëpunimi me Brukselin për shumë çështje, Ivanovic thotë se nga bisedimet praktike përfitojnë më shumë kosovarët.

“Kosovarët janë ata që duhet të inkuadrohen në organizatat rajonale, kosovarët janë duke e kërkuar këtë. Por gjithçka që bëhet pa Serbinë, Serbia nuk e përkrah”, thotë ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›