Komiteti Amerikan i Helsinkit, diskuton sot për Shqipërinë
Komitetit Amerikan i Helsinkit do të zhvillojë një mbledhje të posaçme për Shqipërinë më 6 Maj. Në faqen e internetit të organizmit, që njihet si Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, paraqitet paraprakisht situata aktuale në Shqipëri.
Pavarësisht progresit, Shqipëria vazhdon të luftojë për ndërtimin e institucioneve dhe praktikave demokratike, përfshirë edhe respektimin e ligjit. Ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet parlamentare të qershorit, Komitetit amerikan i Helsinkit shpreson të vleresojë shkallën në të cilën progresi ka dështuar në përmbushjen e pritshmërive, si brenda dhe jashtë vendit dhe çfarë mund të bëhet për të përshpejtuar ritmin e reformave të tjera që lidhen me qeverisjen e mirë thuhet në njoftimin online.
Në këtë seancë dëgjimore do të jenë të pranishëm dhe do të marrin fjalen: Philip Reeker, zv.ndihmës-sekretari për Çështjet Europiane dhe të Euroazisë në Departamentin e Shtetit, Gilbert Galanxhi, ambasador i Shqipërisë në SHBA, Elez Biberaj, drejtori i Divizionit të Euroazisë në Zërin e Amerikës dhe Besa Shahini, analiste për Iniciativën e Stabilitetit Europian.