Komiteti i Ligjeve kërkon hetim për trafik organesh
(E plotësuar) Komiteti për Çështje Ligjore i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka bërë thirrje për një seri hetimesh në nivel kombëtar e ndërkombëtar lidhur me provat për zhdukje, trafikim, korrupsion dhe për lidhje mes grupeve të krimit të organizuar dhe rretheve politike, të paraqitura në raportin e Dick Martyt.
Në një rezolutë të miratuar njëzëri nga Komiteti thuhet se "ka indikacione të numërta dhe që përputhen", të cilat konfirmojnë se shqiptarë dhe serbë të Kosovës janë mbajtur në mënyrë të fshehtë si të burgosur nën kontrollin e UÇK-së në veri të Shqipërisë. Këta kanë qenë objekt i trajtimit jonjerëzor dhe fyes, përpara zhdukjes.
Komiteti ka kërkuar nga EULEX-i të hetojë këto krime dhe kërkon nga vendet e BE-së që t'i japin misionit burimet dhe mbështetjen e nevojshme politike.
Asambleja Parlamentare do ta diskutojë raportin më 25 janar, raporton REL.
SHBA: Akuzat për krime janë hetuar qysh më 2004
Washingtoni zyrtar ka deklaruar se thëniet e raportit të sajuar nga senatori zviceran, Dick Marty, në emër të Këshillit të Evropës duhet të hetohen dhe t’u jepen autoriteteve kompetente.
Zëdhënësi i Departmentit të Shtetit, Philip J. Crowley tha se ‘nga hetimet që kanë bërë Kombet e Bashkuara dhe Gjykata në Hagë është vendosur të mos ndërmirret ndonjë veprim,’ që mund të interpretohet se ato kanë rezultuar të paargumentuara ose të pabazuara. Ai nënvizoi se SHBA megjithatë ‘inkurajojnë çfarëdo bashkëpunimi lidhur me hetimet për këtë çështje”.
Zëdhënësi i Qeverisë amerikane e quajti raportin ‘një projekt-raport,’ ndërsa theksoi se ‘marrin seriozisht të gjitha deklaratat e besueshme për veprimtari kriminale. Çdo e dhënë dhe burimet që citohen në raport duhet t’u jepen autoriteteve kompetente që të bëjnë hetim të plotë dhe të duhur. Rendi dhe ligji janë qenësor për stabilitet dhe progres në Ballkan,” tha Crowley.
Në pyetjen se a kanë ndonjë të dhënë të pavarur SHBA-të që do të konfirmonin këto akuza, zëdhënësi theksoi se deklaratat për krime lufte janë hetuar në mënyrë të suksesshme për shumë vjet nga Gjykata Ndërkombëtare për krime të luftës në ish Jugosllavi.
“Si Kombet e Bashkuara ashtu edhe Gjykata e krimeve kanë bërë hetime lidhur me deklaratat për zingjirin e tregtisë me organe qysh në vitin 2004. Ata kanë vendosur atëherë që nuk do të marrin ndonjë veprim. Ne inkurajojmë çfarëdo bashkëpunimi lidhur me hetimet për këtë çështje,” tha ndërmjet tjerash Crowley, raporton RTK.
Edhe organizata Human Rights Watch me seli në New York i ka bërë dje thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Evropës që të kërkojnë hetime të hollësishme dhe të paanshme në Kosovë dhe Shqipëri në lidhje me akuzat për krime.
Histori të Dickut
Nga Jeton Musliu
Dick Marty e tha fjalën e vet mbi çështjen e dyshimeve për trafikim organesh të robërve të luftës nga ana e ish UÇK’së. Dokumenti i cili do të diskutohet sot në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës, është i mbushur me histori, përshkrime dhe akuza. Marty ka marrë rolin e prokurorit, por jo të ndonjë të zoti që bazohet në fakte. Nëse ai nuk ka fakte të tjera përveç këtyre që shkruan, kjo mund t’i përplaset për fytyre.
Nga ajo çfarë lexohet në raportin e Dick Martyt, të dërguarit Special të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës për të hetuar dyshimet se UÇK’ja ka kryer trafikim organesh në vitin 1999, më shumë mund të lexohet përshkrimi i situatës së atëhershme, sesa ndonjë fakt lidhur me çështjen për të cilën zvicerani ka humbur më shumë se një vit duke hetuar.
Në draft raportin e Martyt, të publikuar nga gazeta londineze “The Guardian”, në fillim tregohet se publikimi librit të Carla del Pontes, ish Kryeprokurore e Tribunalit të Hagës, ka shkaktuar shumë reagime.
Aty më tej shkruan se pas dhjetë vjetësh të mbarimit të luftës, tash shfaqen argumente për trafikimin e organeve të serbëve të zënë rob, që janë kryer nën mbikëqyrjen e komandantëve të UÇK’së.
“Këto pretendime kanë qenë befasuese në disa aspekte dhe kanë provokuar një mori reagimesh të forta”, vazhdon më tej raporti i nënshkruar nga Marty, i cili përbëhet prej 171 pikave kryesore.
“Reagimet ishin të habitshme, në radhë të parë, për shkak se vinin nga dikush që ushtronte përgjegjësi më të larta zyrtare në zemër të sistemit gjyqësor të ngarkuar me ndjekjen penale të krimeve të kryera gjatë konflikteve që shkatërruan ish-Jugosllavinë”, thuhet në këtë dokument.
Më tej në këtë raport shkruan se të gjitha shenjat janë se përpjekjet për krijimin e fakteve të konfliktit në Kosovë dhe për të ndëshkuar krimet e luftës kishin qenë mjet kryesisht për të përqendruar vëmendjen në një drejtim.
“...Bazuar në një supozim, nënkuptohet se në njërën anë ata ishin viktima dhe nga ana tjetër autorë të krimit. Siç do ta shohim, realiteti duket se ka qenë më kompleks”, shkruan më tej Marty në raportin e tij.
“Struktura e shoqërisë shqiptare të Kosovës, që ende shumë është e organizuar në klane dhe mungesa e një shoqërie të vërtetë civile kanë bërë shumë të vështirë për të vendosur kontakte me burimet lokale”, arsyetohet ai.
“Kjo është e përbërë nga frika shpesh deri në pikën e terrorit të vërtetë, të cilat ne kemi vërejtur në disa nga informatorët tanë menjëherë pas vendosjes së hetimit tonë”, shkruan më tej në dokumentin që do të prezantohet të enjten zyrtarisht.
Në pikën katërt të raportit paralajmërohet se hetimi për këtë çështje ka të bëjë kryesisht me verën e vitit 1999, kur tërë rajoni ishte në konfuzion të madh dhe aty tregohet për kthimin e refugjatëve në Kosovë, hyrjen e KFOR’it, shndërrimin e serbëve në refugjatë dhe në përgjithësi kaosit që ishte në atë kohë.
Sipas raportit, kjo kohë kaosi i kishte mundësuar UÇK’së të kishte nën kontroll shumë pjesë të vendit, përfshirë edhe vija kufitare.
Në pikën pesë shkruan se gjatë kësaj faze, UÇK’ja ka pasur kontroll edhe vijën kufitare Kosovës-Shqipëri. Madje, Marty përmend edhe veten si dëshmitar kur në vitin 1999, si anëtar i Parlamentit të Zvicrës, ka parë hyrjen e lehtë të refugjatëve nga njëra anë në tjetrën dhe me këtë rast, ai pretendon se edhe pjesëtarët e UÇK’së kanë mundur ta bëjnë këtë.
Në pikën gjashtë sqarohet se shqiptarët etnikë të Kosovës kanë vuajtur nga krimet e diktatorit që në atë kohë ishte në pushtet në Beograd dhe se për këto ngjarje historike, ai thotë se nuk ka asnjë dyshim. Por, sipas tij, kjo ishte parë në atë kohë vetëm me syrin që serbët janë djalli dhe shqiptarët viktimat. Por, Marty thotë se principet e drejtësisë janë që e vërteta duhet të trajtohet njësoj.
Më tej, në pikën e radhës të raportit, ai shkruan se shtetet e perëndimit që janë përfshirë edhe vetë në rastin e Kosovës kanë qenë të aktivizuara vetëm nga ajri, duke i lënë aleatit të tyre, UÇK’së, të kryejë veprimet në tokë.
“Komuniteti ndërkombëtar zgjodhi të mbyllë sytë para krimeve të luftës të kryera nga UÇK’ja vetëm që të përfitojë pak stabilitet në planin afatshkurtër”, shkruan në këtë dokument prej dhjetëra faqesh.
Aty përmendet edhe roli i veçantë të cilin SHBA’të e kanë luajtur në Kosovën e re.
Më tej në raport tregohet edhe për pafuqinë dhe jokapacitetin e UNMIK’ut që të merret me këto çështje në “mënyrë të paanshme”.
Për EULEX’in flitet në pikën tetë, ku pasi sqarohet se kur ka ardhur e si ka ardhur në Kosovë, raporti tregon se misioni evropian për sundimin e ligjit i kishte marrë dosjet nga UNMIK’u, të cilat ishin në gjendje të mjerueshme.
Sipas raportit, pritja e kosovarëve nga ky mision është zbehur, sepse ata nuk po kanë guxim t’i futen vërtet punës.
Aty përmendet edhe rasti i Nazim Bllacës, personi që doli publikisht dhe pranoi se çfarë krimesh ka bërë dhe, sipas raportit, procedimi i këtij rasti do të jetë test shumë i rëndësishëm për të parë nëse ky mision do të përmbush drejtësinë.
Pjesa tjetër e dokumentet pasqyron tërë gjendjen në Kosovë, sistemin e drejtësisë, policisë, gjendjen sa i përket personave të pagjetur, legjislacionit e shumë çështje të tjera.
Në pikën 37 nisin në detaje të gjeturat e raportit.
Në pikën 44 thuhet se “sipas burimit tonë të brendshëm, UÇK’ja luftoi fort dhe ishte e përkushtuar, ndoshta më shumë sesa mundësitë e saj dhe kapitali politik, për të ruajtur avantazhin mbi fraksionet rivale etnike shqiptare si ajo që bëri për të kryer veprime të bashkërenduara ushtarake kundër serbëve”.
Sipas dokumentit, UÇK’ja nuk ishte shumë e unifikuar dhe formalisht nuk kishte një lider apo komandë, autoriteti i të cilit do të ishte i njohur. Në këtë rast përmenden edhe përplasjet ndërmjet UÇK’së dhe LDK’së, si gjatë lufte ashtu edhe pas saj.
Vetëm në pikën 57 nis të përmenden rajone dhe emra të personave që sipas raportit, janë të përfshirë në këtë rast.
“Ky grup i personaliteteve të shquara të UÇK’së të vetëquajtur si Grupi i Drenicës, kishin lidhje me Luginën e Drenicës në Kosovë, që tradicionalisht njihet si zemra e rezistencës shqiptare ndaj shtypjes serbe nën Milosevicin dhe vendlindja e UÇK’së”, shkruan më tej në dokument.
Në pikën 58, thuhet se “ne kemi gjetur se Grupi i Drenicës e kishte si shefin e tij, ose, për të përdorur terminologjinë e rrjeteve të krimit të organizuar, bosin e saj të njohur politik dhe ndoshta më të njohurin ndërkombëtarisht nga personalitetet e UÇK’së, Hashim Thaçi”.
Në të gjitha rastet raporti është i mbushur me përshkrime të situatës në vija të përgjithshme, por nuk jepet asnjë fakt konkret.
“Sidomos, në raportet konfidenciale që përfshin më shumë se një dekadë, agjencitë për luftimin e kontrabandës së drogës, në të paktën pesë vende e kanë quajtur Hashim Thaçin dhe anëtarë të tjerë të Grupit të Drenicës se kanë ushtruar kontroll të dhunshme mbi tregtinë e heroinës dhe drogave të tjera”, vazhdon më tej në pikën 66 të këtij dokumenti.
“Në mënyrë të ngjashme, analistët e zbulimit duke punuar për NATO’n, si dhe ato në shërbim të të paktën katër qeverive të pavarura të huaja, bënë konstatimet bindëse nëpërmjet mbledhjes së tyre të zbulimit në lidhje me pasojat e konfliktit të vitit 1999. Thaçi ishte identifikuar zakonisht dhe përmendet në raportet e shërbimit të fshehtë, si më të rrezikshmit nga bosët e klasës penale”, thuhet ndër të tjera në këtë dokument.
Fakte
Vendet në Shqipëri ku përmenden në raport janë se ka dyshime se është bërë trafikimi i organeve janë: Cahan, Kuk, Bicaj (afër), Burrelit, Rripe (fshat në jugperëndim të Burrelit dhe në rrethin e Matit), Durrës, dhe Fushë-Krujë.
103. Gjatë kohës së luftës edhe mjekët kanë pasur lëvizje masive me refugjatët në Shqipëri dhe UÇK’ja thuhet se ka zbatuar një politikë, sipas të cilës të gjithë personave të dyshuar, sidomos ata të cilët ishin të dyshuar se kanë qenë bashkëpunëtorë, duhej t’u nënshtroheshin marrjes në pyetje.
104. Na u tha se kjo politikë ishte përkrahur në mënyrë aktive në territorin e Shqipërisë nga elemente të fuqishme brenda aparatit të inteligjencës shqiptare kombëtare, duke përfshirë SHIK’un (tani SHISH) dhe zbulimin ushtarak, disa nga anëtarët e të cilave edhe morën pjesë në pyetjen e robërve të mbajtur në kampet e burgimit të UÇK’së . Megjithatë, forca lëvizëse prapa politikës ishte Kadri Veseli (alias Luli), një pjesëtar i Grupit të Drenicës.
113. Komandantët e UÇK’së të akuzuar se kanë qenë të përfshirë në këto vende janë Sabit Geci, Riza Alija (alias Komandant Hoxha), dhe Xhemshit Krasniqi. Të tre burrat kanë paditë e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe duhet së shpejti të dalin në gjyq në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës dhe pronat e tyre kanë qenë gjerësisht të kontrolluara.
114. Dëshmitë e mbledhura në rrjedhën e këtyre proceseve duket se tregojnë se këta operativë të UÇK’së së bashku me Komandantin Rajonal të tyre për Veriun e Shqipërisë, tani i vdekur, Xheladin Gashi ishte në linjë me Grupin e Drenicës, nën drejtimin e Hashim Thaçi dhe ishin duke vepruar në bashkëpunim, ndër të tjerë edhe me Kadri Veselin.
Reagimet tjera
Jakup Krasniqi, U.D Presidentit të Republikës së Kosovës
Ky projekt-raport nuk është gjë tjetër, pos vazhdim i deklaratave shpifëse dhe të papërgjegjshme të librit të ish-Kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krime të Luftës në ish-Jugosllavi, zonjës Karla del Ponte. Këto shpifje janë hedhur poshtë nga zëdhënësja e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, sipas së cilës hetuesit nuk kanë gjetur prova të bazuara për të vërtetuar këto akuza, si dhe nga ish-zëdhënësja e kryeprokurores del Ponte, e cila i quan deklaratat e saj si të papërgjegjshme, si një inkurajim të ngatërrimit të fakteve me thashethemet dhe si një rrezik për revizionuar ato që kanë ndodhur me të vërtetë. Ky projekt-raport përfaqëson përpjekjet e qarqeve të caktuara për të barazuar luftën e drejtë dhe heroike të popullit të Kosovës dhe të Ushtrisë së tij Çlirimtare me masakrat e regjimit serb të Milosheviqit. Tentativat për të ngatërruar viktimat me xhelatin hedhin hije dyshimi për të gjithë aktivitetin dhe paanshmërinë e raportuesit të Këshillit të Evropës.
PDK
Xhavit Haliti, njëri nga bashkëluftëtarët e Hashim Thaçit, dhe tash zyrtar i lartë i PDK-së, thotë se vlerësimet në raportin e Martyt duhet të verifikohen, pasi në asnjë rrethanë UÇK nuk ka bërë veprime të tilla, siç është trafikimi i organeve. “Kontrabandimi i organeve, që po thuhet, është akuzë tepër e rëndë, e cila mendoj se duhet të verifikohet saktë. Besoj se është e pamundshme të imagjinohet se UÇK paska pasur një mekanizëm, i cili është marrë me atë punë. Është krejt e pamundur”, është shprehur Haliti.
AAK
Prishtinë, 15 dhjetor - Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së, Burim Ramadani, thotë se sa i përket luftës së UÇK’së, akuzat janë të papranueshme. “Shqiptarët në Kosovë luftuan për liri dhe të mos përfitojnë nga unaza kriminale”, ka thënë Ramadani.
PSD
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Agim Çeku, njëherësh ish-komandant i UÇK’së, fajëson Beogradin për këto akuza. “Çdo akuzë kundër UÇK’së vjen nga Serbia apo ndihmues të saj”, tha Çeku për Reuters. Sipas tij, raporti është vetëm një përpjekje për të njollosur luftën dhe fitoren e kosovarëve.
Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë
Është një raport tërësisht i pabazuar në asnjë fakt, evidencë apo realitet, cka dëshmon për një anësim politik të qartë të autorit, duke përbërë një abuzim flagrant me autoritetin e Këshillit të Europës”, deklaroi Berisha. Deklarata e fortë e kryeministrit Berisha përcakton qëndrimin e qeverisë shqiptare në lidhje me raportin e anëtarit të Këshillit të Europës, Dick Marty ku kryeministri Kosovës, Hashim Thaci identifikohet si bosi i drogës si dhe trafikant armësh dhe organesh.
Vuk Jeremiq-ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë
Unë nuk e di se çfarë lloj të ardhme ka ky person (v.j Hashim Thaçi). Ky raport është sinjal se ka ardhur koha që tërë bota e qytetëruar të pushojë së mbylluri sytë para realiteteve të tmerrshme në Kosovë. Ky raport tregon se si është Kosova sot dhe kush janë liderët e saj.
Bruno Vekariq-zëvendësprokuror i Prokurorisë Speciale të Serbisë për Kirm të Luftës
Falë ndihmës dhe autoritetit të presidentit Tadiq, si dhe punës së madhe të organeve të drejtësisë, kemi arritur këtë fitore dhe ua kemi kthyer shpresën familjeve të viktimave dhe atyre të të rrëmbyerve, ka thënë Bruno Vekariq, zëvendësprokuror serb për krimet e luftës.
Thorbjorn Jagland Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës
Pata mundësinë ta lexoja raportin e Asamblesë rreth trajtimit çnjerëzor të njerëzve dhe trafikimit të paligjshëm të organeve të njerëzve në Kosovë, raport të cilin e ka përgatitur raportuesi i Asamblesë, Dick Marty. Draft raporti përmban një numër pretendimesh shumë serioze. Jam i brengosur për implikimet dhe besoj se këto pretendime nuk duhen lënë pa përgjigje.
Behxhet Shala-drejtor i KMDLNJ-së
Raporti i Dick Marty është gënjeshtër e madhe për një vend të vogël siç është Kosova. Marty ka urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve dhe UÇK-së. Me këso akuzash ndaj shqiptarëve dhe UÇK-së edhe Millosheviçi ka qenë më korrekt dhe më i rezervuar. Për këto dyshime dhe akuza askush nuk ka qenë në gjendje të sigurojë prova materiale. E as që do të sigurohen ndonjëherë.
EULEX
Policia e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se kërkon “fakte të forta” për pretendimet e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, sipas të cilit, civilët e burgosur nga UÇK-ja janë vrarë në Shqipëri, ndërsa veshkat e tyre janë shitur në tregun e zi. Zëdhënësja e policisë së EULEX-it, Karim Limdal, tha se “prokuroria i bazon hetimet dhe aktakuzën mbi fakte dhe prova të forta”. Limdal ka thënë se hetimet e Bashkimit Evropian mbi pretendimet se është bërë trafikim i organeve në veri të Shqipërisë, nuk kanë rezultuar me asnjë provë.
Brukseli
Brukseli ka reaguar ndaj pretendimeve të raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, sipas të cilit kryeministri Hashim Thaçi identifikohet si ‘bosi’ i mafies në Kosovë. “Ne i marrim akuzat seriozisht, por e ftojmë z. Marty që të dalë me prova”, tha Maja Kocijançiq, zëdhënëse e kryediplomates së BE-së, Catherine Ashton.