E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Këtë vit fillon konkretizimi i tre projekteve të mëdha infrastrukturore, Tiranë-Elbasan, Berat-Tepelenë, Tiranë-Klos

Ky është viti i datave të mëdha në projektet tona më ambicioze për infrastrukturën më moderne në rajon.

Me këto rrugë të reja, qytetarët shqiptarë do të kursejnë nga buxheti i tyre në tërësi qindra milion euro, por shumë më i madh është kursimi që ata fitojnë me kohën.

Kryeministri Berisha njoftoi sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se brenda këtij viti fillon konkretizimi i tre projekteve të mëdha infrastrukturore rruga Tiranë-Elbasan, Berat-Tepelenë, pjesë e Boshtit të Jugut dhe Tiranë-Klos, pjesë e rrugës së Arbrit.

“Kam kënaqësinë t’ju informoj, - tha Kryeministri - se po përfundojnë tre projektet e akseve të mëdha rrugore, të cilat do të bëjnë të mundur që qytetarët shqiptarë nga Saranda, Konispoli, Gjirokastra, Pogoni, Leskoviku, Korça, Peshkopia, Bulqiza, Elbasani, Tepelena, Memaliaj, Klosi, të vijnë në Tiranë për një kohë 50 deri në 70 përqind më të shkurtër: ka përfunduar tërësisht me dy tunelet e saj, me kahe vajtje-ardhje të ndara, autostrada Tiranë-Elbasan, e cila bën që kjo distancë të përshkohet në 20-25 minuta. Faktikisht, Elbasani vjen në distancën e Vorë-Tiranë dhe projekti është bërë nga një ndër kompanitë më serioze italiane; është në shqyrtimin e fundit projekti i Boshtit të Jugut, Memaliaj-Tepelenë. Projekti i Boshtit të Jugut Berat-Tepelenë, me urat dhe tunelet e tij, është në finalizim të plotë brenda dy javëve nga një kompani e njohur kuvajtiane. Qeveria e Kuvajtit më ka garantuar se do të kontribuojë në financimin e këtij projekti të kushtueshëm, por jashtëzakonisht të rëndësishëm; ka përfunduar tërësisht, përveçse disa pjesë të tunelit që janë në fazën përfundimtare, edhe projekti Tiranë-Klos, i rrugës së Arbrit. Brenda këtij viti pritet që të nisë puna në këto tre akse.”

Duke theksuar se përparësi absolute e qeverisë mbeten akset kryesore të rrugëve në vend, Kryeministri Berisha theksojë në këtë kontekst, rëndësinë e jashtëzakonshme të tre akseve të mësipërme jo vetëm për zhvillimin e tregut dhe turizmit, por edhe si shndërrim në realitet i ëndrrave të qytetarëve shqiptarë për të lëvizur lehtësisht dhe shkurtuar distancat.

“Prej shumë dekadash, - u shpreh Kryeministri - qytetarët e Elbasanit ëndërrojnë një rrugë tjetër me tunel, që pothuajse t’i bashkojë ata me Tiranën. Qytetarët e Peshkopisë ëndërrojnë që rruga e tyre tradicionale, me të cilën kanë zbritur me shekuj në Tiranë, të shndërrohet në autostradë dhe qeveria këtë po e bën realitet, përveç faktit tjetër që kjo rrugë afron Shkupin me Tiranën 103 kilometra. Pas përfundimi të rrugës Kardhiq-Delvinë që është në përfundim e sipër dhe Boshtit të Jugut, Saranda shndërrohet në një qytet lehtësisht i arritshëm nga Tirana dhe turistët nga mbarë bota. Po kështu Gjirokastra, Tepelena, Delvina. Pra, ky është viti i datave të mëdha në projektet tona më ambicioze për infrastrukturën më moderne në rajon. Koha kushton më shumë se çdo gjë tjetër. Me këto rrugë të reja, qytetarët shqiptarë do të kursejnë nga buxheti i tyre në tërësi qindra milion euro, por shumë më i madh është kursimi që ata fitojnë me kohën. Po ashtu i jashtëzakonshëm është efekti i këtyre akseve mbi turizmin dhe tregun.”

Kryeministri Berisha tha se janë përzgjedhur trajektoret më të shkurtra, si alternativa më e mirë dhe kërkoi nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit që, sapo Këshilli Teknik të përfundojë shqyrtimin e projekteve, të hapen tenderat për realizimin e tyre, në mënyrë që “qytetarët e Peshkopisë, Bulqizës, Klosit të vijnë në Tiranë në një kohë rekord të shkurtër. Po ashtu qytetarët e Korçës, pasi edhe rruga Plloçë-Qukës po vazhdon, qytetarët e Elbasanit dhe qyteteve të jugut të kapin Tiranën në kohën që ata nuk e kanë imagjinuar ndonjëherë.”


17/02/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›