- Komiteti u përqëndrua në çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave ish -pronarëve - Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua sot paradite mbledhja Komitetit të Politikave
- Komiteti u përqëndrua në çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave ish -pronarëve -
Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua sot paradite mbledhja Komitetit të Politikave Ekonomike. Qëllimi i saj ishte diskutimi i çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave ish- pronarëve dhe ballafaqimi i koncepteve të projekligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave me përfundimin e studimit të sipërfaqeve të lira për tokën bujqësore, livadhet, pyjet dhe kullotat. Studimi është kryer nga Grupi Qendror i Punës me përfaqësues nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe të administratës publike, i ngritur me urdhër të Kryeministrit, dhe identifikon sipërfaqet e disponueshme të tokës në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Në fillim të mbledhjes, Kryeministri Nano theksoi se kuadri ligjor për kthimin dhe dhe kompensimin përfundimtar të pronave, si detyrim kushtetues, merr rëndësi të posaçme sepse rregullon ligjërisht dhe konsolidon marrëdhëniet e pronësisë të krijuara pas rënies së komunizmit dhe është struktura themelore që do ta bëjë ekonominë e tregut të qendrueshme dhe tregun e pasurive të patundshme funksionues. Pa këtë proces, - tha zoti Nano, - nuk bëhen dot hapat e nevojshëm për afrimin dhe integrimin e Shqipërisë në BE dhe në tregjet globale. "Përveç përafrimit të legjislacionit me standartet e botës euroatlantike duhet të kemi edhe tregje reale dhe funksionuese me pronarë ligjorë të identifikuar, të cilët hyjnë, më pas, pa konflikte në transaksionet vendase apo të një tregu të integruar edhe me partnerët e huaj", tha Kryeministri. Duke shtuar se i gjithë procesi do të vazhdojë t'i mbahet deri në fund filozofisë së ekuilibreve që korrigjojnë padrejtësitë nga veprime dhe qendrime të ndryshme në periudha të ndryshme historike ndaj pronës private.
Me rregullimin përfundimtar të problemeve të pronësisë private, -nënvizoi më tej Kryeministri Nano, - duam t'i japim fund një herë e mirë dhe lojës politike dhe abuzimeve shoqërore për këtë çështje të rëndësishme. "Kjo do të bëhet duke marrë masa konkrete, duke adoptuar legjislacion bashkohor, duke balancuar zgjidhjet në territor dhe gjetur burimet e lira, duke vlerësuar edhe përvojën e vendeve të tjera të Europës Lindore, ku është shfaqur dhe trajtuar në dekadën e fundit çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave dhe duke respektuar interesat e riprodhimit e të zhvillimit jo vetën të brezave të sotëm por edhe atyre të ardhshëm, në një territor që është i përkufizuar nga natyra dhe nga kufijtë shtetëror", tha zoti Nano.
Por, konstatoi Kryeministri, nga analiza e dosjeve rezulton se pretendimet për pronësi të depozituara janë më të mëdha se tërësia e pronave të regjistruara në vitin 1938. Arsyeja themelore e këtij fenomeni, - tha zoti Nano, - është mbivendosja e pronave dhe pronarëve, sidomos me vendime të lehta gjykatash të ndryshme në dekadën e fundit. Sipas tij, vlerësimi i sipërfaqeve të lira shtetërore të tokës bujqësore, livadheve, pyjeve dhe kullotave është bërë duke marrë në konsideratë sipërfaqen e tokës të ndarë me ligjin 7501 për tokën bujqësore dhe pyjeve e kullotave të kthyera dhe të kompensuara me ligjin 7699, si dhe informacionet për vendodhjen e sipërfaqeve të lira, numrin e pronarëve dhe sipërfaqet e tokës përkatëse të trajtuara nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave.
Më pas, Kryetari i Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sokrat Sinaj, informoi Komitetin Ndërministror për rezultatet e fazës së parë të studimit në të gjithë qarqet e vendit, për evidentimin dhe vlerësimin e sipërfaqeve të lira shtetërore, për tokat bujqësore, livadhet, kullotat, pyjet dhe trojet. Anëtarët e Komitetit vlerësuan se paraqitja e këtij studimi bëhet në kohën e duhur, kur komisionet parlamentare janë duke diskutuar rreth ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Po ashtu rreth këtij studimi dhe çëshjeve të ndryshme të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave diskutuan edhe përfaqësues të shoqatave të ish pronarëve.
Në përfundim të mbledhjes, Komiteti i Politikave Ekonomike konkludoi se brenda muajit prill të këtij viti grupi i punës do të paraqesë për miratim në Këshillin e Ministrave fazën e dytë të studimit dhe konkluzionet përfundimtare për këtë çështje, për t'ia paraqitur më pas atë për shqyrtim Kuvendit.