E Diel, 1 Nëntor 2026

- Leksion me studentët e Universitetit të Vlorës – - Brenda vitit 2015 të jemi gati për t'u anëtarësuar me të drejta të plota në BE – Kryeministri Fatos Nano gjatë vizitës së t

- Leksion me studentët e Universitetit të Vlorës –

- Brenda vitit 2015 të jemi gati për t'u anëtarësuar me të drejta të plota në BE –
Kryeministri Fatos Nano gjatë vizitës së tij në qytetin e Vlorës është ndalur në Universitetin e këtij qyteti duke mbajtur edhe një leksion përpara studentëve dhe biznesmeneve.

Në këtë ligjëratë Kryeministri Fatos Nano tha:
Jemi ne kete auditor per te mirëkuptuar , se çfarë të ardhme duhet të vazhdojmë të ndajmë sëbashku, përderisa duhet të jetojmnë në këtë periudhë sëbashku.
Çfarë na pret në të ardhmen dhe çfarë duhet të bëjmë veç e veç dhe të gjithë bashkë në këtë proces përafrimi, asociimi për integrimin e vendit në institucionet europiane, ku me sa duket nuk mund të shkojmë vetëm si refugjatë apo kërkues në tregun e punës; nuk mund të shkojmë vetëm si qytetarë apo vizitorë në kërkim të të afërmve për tu çmallur apo për të njohur bukuritë e botës, por duhet të shkojmë edhe me legjislacion edhe me aftësi për të administruar vetveten, edhe me institucione konkuruese, jo vetëm qeveritare por edhe parlamentare të shtetit të së drejtës, të policisë apo të shoqërisë civile, edhe me media konkuruese dhe sidomos me sipërmarrje konkuruese, me mallra dhe shërbime, me vlera kapitalesh apo kulture, që duke qenë konkuruese, në radhë të parë shiten, pra shumëfishohen. Në radhë të dytë pëlqehen, pra kërkohen. Dhe në radhë të tretë shpërblehen.

Pra, marrim edhe ne në këtë proces vlerat e të tjerëve, shtojmë elementët e bashkëjetesës me të tjerë, që kanë lindur jo më parë se ne si qytetërim, që ndajnë të njëjtin planet dhe ku për fat të mirë pavarësisht nga doktorët që venë e vijnë, sëmundjet lokale apo globale nuk na kanë infektuar akoma rrënjët e jetës dhe qelizat e përtëritjes kombëtare, përballë dhe krahpërkrah me një botë që zhvillohet me shpejtësi të ndryshme dhe ka nivele të ndryshme zhvillimi.

sot bëme një punë të dobishme ne Vlore. Ne një takim ku përfaqësues të qeverisë që unë drejtoj, të pushtetit vendor, që ju keni zgjedhur, të disa niveleve bashki, komuna, qark, Prefekti që na përfaqëson si qeveri, diskutuam me sipërmarrjen vlonjate dhe të huaj amerikanë, italianë hollandezë etj per ate se çfarë do të vazhdojë të ndodhë këtu në Vlorë, në industri, energjitikë, shërbime, zhvillim urban, pra ndërtime dhe banesa, planifikim territori, turizëm, infrastrukturë nga rrugët deri te portet dhe aeroportet.
Të gjithë këta elementë themelorë të integrimit, të lëvizjes së lirë, sepse jemi jo të varfër me potencial zhvillimi, jemi ende të varfër në xhepin e madh të buxhetit dhe xhepin e secilit, që tani me ligjet e kohës duhet ta tregojmë se sa kemi brenda secili, duke filluar nga ne.

Rezulton se situata është e mirë, se këtu në Vlorë qeveria ka partnerë të sigurtë për zhvillim, integrim, konkurrim dhe ky është vendi më i përshtatshëm për ta theksuar dhe përsëritur këtë gjë, sepse këtu përgatitet kapitali themelor, burimi i punës dhe i zhvillimit qytetar, administratori, kërkuesi, sipërmarrësi, apo njeriu i kulturuar dhe kurajoz, sepse të përballosh sfidat e zhvillimit dhe të konkurrimit me të tjerë dhe me krimin apo ilegjitimitetin, sot, duhet të kesh kurajo.

Si kryeminister drejtoj një Qeveri që ka kurajo dhe kam ardhur në një universitet, që historikisht dhe në kohët moderne ka treguar një kurajo të pamposhtme. Unë kam ardhur këtu të marr pjesë nga qytetërimi juaj, nga kultura juaj, nga kurajoja juaj, për të vazhduar projektet e zhvillimit të Vlorës dhe të të gjithë Shqipërisë, me ju, pavarësisht, se kë do të zgjidhni në 2005 dhe sidomos projektet e integrimit, që ne nëpërmjet reformave po i vëmë në zbatim, për t'i lënë në duart tuaja. Në duart që do të vazhdojnë këtë proces, që nuk është i shkurtër, sepse ato që negociojmë apo nënshkruajmë ne sot do të vazhdojnë të korrektohen, të pasurohen dhe të zbatohen prej jush.
Jam me ju për të forcuar- dhe përgëzoj Rektorin që ka kujtesën aktive dhe që i'u referua mbajtjes së një premtimi kundrejt ftesës që më kishit bërë prej disa kohësh për t'u takuar me ju, siç bëj me universitete të tjera- për të ndërtuar dhe konsoliduar, këtë proces partneriteti midis qeverisjes së sotme dhe të ardhme, midis nesh dhe jush, për të shkuar deri në marrëdhënie kontraktore të Qeverisë me katedrat, Senatin, rektoratet, kolegjet, departamentet dhe përfaqësitë studentore, në të gjitha fushat dhe në të gjitha zonat që kanë universitete. Kjo sepse në 6-7 vitet e fundit, të paktën dy gjëra sigurisht janë shtuar dhe transformuar: media dhe sistemi universitar.

Kur unë isha në akademinë më të rëndë të jetës sime, në Bënçë, shikohej vetëm televizioni publik. Sot të vjen televizioni nga prapa kudo që të shkosh dhe aty ku nuk ka valë. Sot ka univeristete në qytetet kryesore të vendit. Ata janë autonomë, drejtuesit e tyre zgjidhen me zgjedhje të lira dhe përveç jush askush tjetër, as nga politika dhe as nga tregu, nuk mund të bëjë një shtet paralel në Shqipëri.

Pra ju jeni sistemi paralel, që korrigjon sot, dhe për të ardhmen, qeverisjen, kursin e reformave, mobilizimin e burimeve për zhvillim, kahjet e dijes dhe ritmet e saj. Mbi të gjitha procesi i integrimit rajonal dhe europian i Shqipërisë varet nga cilësia e burimeve njerëzore.

Ne jemi këtu duke e ditur mirë se ju nesër do na kritikoni; Ne jemi këtu si prindër të mirë që duam që fëmijët t'i bëjmë më të mirë se vetja; Ne jemi këtu për të evituar që ju të thoni nesër se ishim prindër të këqinj, keqbërës apo të papërgjegjshëm, përballë këtij procesi integrimi, që përfshin disa breza dhe që nuk na lejon ne të marrim më qafë brezat më të mirë, që jetojnë sot apo që do të lindin nesër.

Me këtë kredo më lejoni që të hyj në disa elementë të këtij procesi përqasjeje, konkurimi dhe integrimi në botën moderne. Është e qartë që në fillim dua të them se është një proces me kosto dhe përfitime, raporti midis të cilave nuk është i dhënë njëherë e përgjithmonë, por ndryshon në kohë. Duhet të investosh- është një sipërmarrje kombëtare- duhet të të kushtojë pra, që të përfitosh apo të marrësh avantazhet e integrimit.
Besoj se mund të ndaj me ju një mësim përvoje. Shqipëria ka 14 vjet që zhvillohet në kushtet e një demokracie pluraliste. Ka pothuajse një dekadë që po hapet në mënyrë të organizuar dhe pavarësisht, se shqyem disa dyer në vitet e para, tani çdo derë ka menteshat e saj, edhe për të hyrë edhe për të dalë.
Ky mësim përvoje, që desha të ndaj me ju është për një proces integrimi, që nuk mund të bëhet i brendshëm, i izoluar nga të tjerët. Procesi i integrimit nuk është proces asimilimi nga bota, pushtimi nga të huajt apo humbje e identitetit të vlerave apo të qytetërimit apo të pasurive tona individuale dhe kombëtare.
Procesi i integrimit është një proces i ndërsjelltë, është një realitet enësh komunikuese, është një sistem komunikimi, ku lëngjet e jetës shtyjnë njëri-tjetrin dhe ku deri më sot, ne, nuk jemi aq konkurues sa duhet përderisa importojmë nëntë dhe eksportojmë një.

Dhe mësimi i përvojës, është se ne nuk na lejohet të shpikim. Nuk na lejohet të humbasim kohën në diskutime doktrinare apo ideologjike, se si ndërtohet një treg i integruar apo një kufi i sigurtë për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe për moskalimin e trafikantëve? A bëhet kjo më mirë me doktrina të majta apo të djathta?
Kjo për shkak se reformat janë standarte dhe për shkak të mirëpritjes së proceseve tona të hapjes dhe të zhvillimit nga fqinjët, dhe institucionet, që udhëheqin zhvillimin global, qofshin këto BE, KE, OSBE apo BB, FMN, krahas qeverive të vendeve udhëheqëse të këtyre organizatave, amerikane apo europiane. Kjo na nxit të kuptojmë se shkallë të ndryshme zhvillimi në historinë e të njëjtit njerëzim, pavarësisht nga racat, përkatësitë etnike apo fetare, me shkallë të ndryshme, për shkak të shpejtësive të ndryshme të qytetërimit apo për shkak të pasojave historike, ka një model zhvillimi të qëndrueshëm. Ky është modeli ku kanë ikur, janë sistemuar, kanë filluar të rikthehen shumë nga bashkëatdhetarët tanë.

Gati 1 milion e gjysëm në 12 vjet, që janë vendosur nga Italia dhe Greqia fqinje, në Gjermani apo në vende të tjera më veriore të Europës moderne apo deri në SHBA, Australi etj. duke e bërë bashkë me komunitetet e lëvizura apo të emigruara prej kohësh tërësinë e shqiptarëve, që jetojnë në botë sot, 20 milion, përfshirë edhe ata që jetojnë në Turqinë e afërt dhe mike.
Pra, e theksoj, nuk na lejohet që të shpikim- dhe detyra qenka pak a shumë e hekurt- siç kemi futur tekste dhe programe bashkëkohore në universitete apo në shkolla të mesme publike apo private, edhe modelet e institucioneve të legjislacionit, të procedurave të administrimit e të organizimit të tregut, bankat, shoqëritë e sigurimit, personat fizikë dhe juridikë,janë modele standarte.
Të gjitha këto përballë nesh, te negociatorët me të cilët po realizojmë procesin e asociimit për integrim, përfaqësuesit e Komisionit Europian apo të vendeve anëtare paraqiten si standarte për t' u arritur. Paraqiten të tilla jo vetëm për ne, por për të gjitha vendet e tjera të rajonit. Kanë qenë të tilla edhe për të gjitha vendet e tjera të Europës Qendrore apo Jug-Perëndimore, që nga Greqia deri te Portugalia, që janë integruar para nesh. Këto standarte paraqiten të tilla edhe për Kosovën sot, paraqiten të tilla për vende monoetnike apo multietnike, për vende me shumica të qarta etnike dhe një apo disa pakica apo me komunitete të harmonizuara ndëretnike si Bosnja etj.
Pra, për të arritur standartet e BE-së duhen reforma standarte, duhen modele standarte të institucioneve dhe të tregut. Në këtë moment shtrohet pyetja: A ka alternativë për shkak se integrimi qenka kaq i displinuar? A ka alternativë për të mos u integruar?
Besoj se përveç logjikës historike, këtu të imponohet edhe logjika e mbijetesës, përderisa njerëzit lëvizin, nuk mund të mos lëvizin kufijtë e tregjeve, të sipërmarrjes; nuk mund të mos lëvizin vlerat dhe për pasojë nuk mund të mos ndahet sovraniteti me të tjerë.
Integrimi në thelb dhe nga pikëpamja e institucioneve kombëtare është një proces i ndarjes së sovranitetit me të tjerët. Prandaj po i rikthehem çështjes, që nuk ka nevojë që të heshtësh apo të presësh të të hedhin në det, t'i pushtosh apo të presësh të të pushtojnë tokën dhe të ndryshojnë kufijtë. I vetmi nocion i ndryshimit të kufijve sot, është menaxhimi i tyre i sigurtë, që të hapen, të bëhen të padukshëm, të kalohen pa ndaluar dhe të pakalueshëm për keqbërësit, se kufijtë vijnë te dera e shtëpisë, te çdo njeri, që kur niset për në punë ose për të rikrijuar vetveten pas lodhjes nga puna është i gjithi me një çip në xhep ku ka identitetin, numrin e siugirmit, kombësinë, dhe ky çip zëvendëson dhe garancinë e kushërinjve apo që duhet blerë te ndërmjetësit trafikantë për të marrë një vizë për të shkuar jashtë shtetit sot.
Kufijtë te dera e shtëpisë ja vënë kufirin te thana edhe qeverisë edhe parlamentit edhe administratave qendrore apo vendore edhe gjyqësorit edhe policisë edhe kriminelëve që do të thotë se ne na duhet të ndërtojmë një rregjistër të gjendjes civile si gjithë europa ne na duhet të ndërtojmë një polici shtetërore, si ai londinez që pa armë ta respektojnë të gjithë, ne na duhet të ndërtojmë agjentë të shërbimeve sekrete që pa i njohur askush të jenë miq të qytetarëve për të kapërcyer sëmundjen e vjetër që në Shqipëri të gjithë spiunojnë pa para dhe që i tregojnë me gisht spiunët zyrtarë, ne na duhen gjyqtarë që ashtu si Kristaq Traja të mund të punonin lirisht edhe në gjykatat e Europës dhe nuk na duhen gjyqtaër që guxojnë të mburren me harbutëri edhe në TV private legjitime se janë bosë dhe se sheshin dhe blejnë drejtësi me paratë e njerëzve që viktimizohen.
Të gjitha këto na i vënë të gjithëve kufirin te dera e shtëpisë, e zyrës, e auditorit, sepse pa mësuar se cilat janë elementët që të tjerët i kanë bërë të jetojnë më mirë dhe më të sigurt se ne, cilat janë njohuritë ligjore dhe profesionale që i bëjnë të tjerët të shesin nëntë herë më shumë se sa blejnë në raport me ne, cilat janë çipet e Bill Gates që duhet të kemi secili me vete, është e pamundur të lëvizim lirisht, të kërkojmë diplomat të njësohen, duke i ekuivalentuar për efekt kontratash pune edhe në tregje të huaja edhe këtu brenda te firma të mëdha ndërkombëtare që kanë filluar të investojnë masivisht.

Isha para dhjetë ditësh në Prishtinë dhe mësova me shumë kënaqësi që partitë politike vendase nuk kishin shumë fuqi për të futur anëtarë dhe militantë në punë. Sepse ka ardhur administrata ndërkombëtare dhe bën konkurse me dosje, kështu që meritokracia partiake që shpesh degjeneron në klientelizëm është zëvendësuar me meritokracinë e diplomës, të eksperiencës, të trajnimit, pra janë zëvendësuar teserat me çipet. Pra kini kujdes se edhe partitë nuk rrinë prapa dhe po i kthejnë teserat në çipe. Partitë që e bëjnë më shpejt këtë punë do të kenë jetë të gjatë në komunikimin me ju.

Unë dua pra të kuptoj njëlloj se edhe sikur cilido prej jush të ishte në vendin tim detyrimet janë po ato. Presioni për të qenë konkurues dhe për t' i vënë pengesa aktorëve të tjerë të interesit vendas apo të huaj është po ai, prandaj kërkesa për transparencë, për informacion- qeveria është e detyruar t'ia japë publikut komunitetit dhe qytetarëve, si dhe të marrë prej tyre formulimin më të ndershëm dhe më professional të interesave apo kërkesave që qytetarët kërkojnë të realizojnë në vendin e tyre është e barazvlefshme kërkesa për transparencë dhe për pasojë dhe shteti i sotëm mirëpret iniciativat e shoqërisë civile për luftën kundër korrupsionit për ballancimin e kostove të reformave me elementët dhe kohën e kryerjes së tyre për politika sociale që shoqërojnë reformat ekonomike duke rialokuar përfitimet dhe kostot drejt periferive dhe shtresave shoqërore më pak të paisura me mundësi jetese.
Shpesh me sipërmarrësit, dhe ju jeni sipërmarrës potencialë, që sot nesër do të jeni aktivëe në gjithë spektrin e fushave të jetës të investimit apo të administrimit sidomos qeveria me sipërmarrësit zhvillon ende një debat që rrezikon të kthehet në konflikt. Natyrisht nuk është konflikti absurd i partive me shtetin apo i politikës me reformën por është një konflikt që kërkon durim për të qarkulluar të njëjtin informacion dhe për të arritur të njëjtin kuptim të integrimit.

Sipërmarrësit shpesh thonë përse të mos e privatizojmë ne Bankën e kursimeve, telekomin, aeroportin apo shoqërinë kryesore të sigurimeve kombëtare?

Ne themi se ka institucione legjitime që miratojnë ligje dhe kontrata dhe marrëveshje me ndërkombëtarët gjithashtu që nuk mund të bëhet vetëm ne pa ata ose vetëm ata pa ne vendas dhe të huaj. Nuk mund të bëhet pa mirëkuptimin dhe shoqërimin nga organizata ndërkombëtare dhe financiare të botës dhe të tregjeve ku duam të integrohemi të cilat sigurojnë barazinë e rregullave të lojës dhe për pasojë shoqerojnë dhe mbështesin procesin dhe integrimin që të ketë sa më pak viktima.
Në një kohë që është krejt e mundshme dhe janë modele të suksesshme si pasuritë kryesore strategjike të një vendi në integrim të administrohen bashkarisht nga vendas dhe të huaj nga publikë dhe privatë, pra nga korporata financiare ndërkomëbatre apo Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe nga grupe serioze të sipërmarrjes vendase sepse edhe tregu është i përbërë nga shumë pjesë pronarë aksionerë dhe iniciativa nuk na lejohet të shpikim apo të mos adoptojmw modelet e ndarjes së përgjegjësive të pjesëve të flukseve të velrave dhe kapitaleve të kostove dhe të përfitimeve me të tjerët edhe brenda vendit përndryshe do të përfundojmë në piramida dhe ju e dini se ku përfundoi Shqipëria me piramida.
Ju studentwt e keni njohur suden e piramidave nëpër sportele nga jashtë unë e kam njohur Suden e piramidave në sportel nga brenda në burgun e Tiranës dhe tashme fatmiresisht ne sebashku kemi ikur nga epoka e Sudes dhe piramidave dhe jemi në epokën e Raiffaissen Bank.

I gjithë problemi që dua të kuptojmë njëlloj është na duhet adaptatori për të futur spinat tona në prizat e BE-së. Adaptatori është standart dhe prandaj duhen akoma standarte dhe njerëz që marrin këto njohuri standrate që kanë hyrë me programet universitare dhe pasuniversitare në Shqipëri. Duket se ne duhet të vazhdojmë të thyejmë izolimin tonë jo vetëm nga bota dhe kjo është mentale dhe kulturore në shumë aspekte, këto auditorë dhe universitete janë instrumenta më efikasë të kapërcimit të izlomit kulturor apo të përfshirjes në shoqërinë e informacionit dhe pastaj në tregun e ekonomive të reja.
Ju e dini jam i sigurt që sot janë po aq mos më shumë fitimprurës tregjet virtuale nga ndërtimi i një shtëpie pa leje në breg të detit, apo në një kohë që bota bën blerje pa transaksione financiare me postë elektronike ne na duhet të luftojmë që së pari sipërmarrësit e regjistruar të paguajnë taksat ata të paregjistruarit të regjistrohen dhe e dyta që të marrim mbështetje financiare më të madhe sa kursimi apo fuqia e tyre nga bankat t'i qarkullojnë llogaritë, paratë dhe kapitalet e tyre me banka, në një treg ku tashmë operojnë rreth 15 operatorë bankarë vendas dhe të huaj në një treg që po hap agjenci të bankave më përfaqësuese private nacionale dhe këtu në Vlorë, si Banka Italo-shqiptare apo ajo amerikane, dhe që ju nxit dhe ju të përfshiheni në të njëjtin kompeticion dhe fluks vlerash që kanë përfshirë të gjithë vendin.
Duket se ne shqiptarët jemi shumë të aftë, kemi shumë resurse dhe jemi shumë të prirur nga pikëpamja e qytetërimit dhe psiko-politikës kolektive për tu integruar dhe për ta përballuar koston e integrimit. Treguesit e eurobarometrit apo të gjitha sondazhet shoqërore që përfshijnë leximin e vlerësimit të shqiptarëve për BE-në NATO-n etj perëndimin në tërësi janë në nivele më të larta se në çdo vend tjetër.

Për integrimin duhet të bëhemi akoma më të ndërgjegjshëm sesi duhet të sillemi dhe të kontrollojmë njëri-tjetrin në një proces detyrimesh standarte, kostosh standarte dhe natyrisht përfitimesh standarte të sigurta.
Ka një strategji kombëtare të zhvillimit ekonomik e shoqëror, sipas së cilës, ne mundemi me këto reforma standarte brenda vitit 2015 të jemi gati për t'u anëtarësuar me të drejta të plota në BE. Kjo do të thotë që ne jemi realisht gati dhe ju do të na bëni akoma më shpejt gati, që në 2015 të behemi vend me të drejta të plota anëtar i BE-së. Deri atëherë do të jetë 4-fishuar prodhimi kombëtar për frymë. Nga 1900 dollarë për frymë sot (krahasuar me 670 dollarë në '97) në afër 7000 dollarë për frymë në 2015, dhe, përgjithësisht, do të jetë kuruar në themel varfëria që ekziston gati në 30% të popullsisë, veçanërisht në zonat verilindore dhe juglindore më të prapambetura dhe më të palidhura ende me infrastrukturën e tregut kombëtar që po integrohet në tregun rajonal.
Në 10-15 vitet e ardhshme pesha e bujqësisë në prodhimin kombëtar do të bjerë nga 32% aktualisht në 6-7% dhe natyrisht territorit rural me urbanizim dhe integrim në infrastrukturën e aktivitetet e tjera ekonomike të tregut nacional që integrohet do të jetë më i zhvilluar se sot dhe na duhet të programojmë e të disiplinojmë mirë raportet midis qendrave të banuara, dhe mjedisit të shëndetshëm rezidencial të të gjithë territorit me zhvillimin e industrive, të strukturave të energjisë, të shërbimeve, të turizmit, i cili ka shansin e madh, jo vetëm këtu në Vlorë, por në të gjithë 400 kilometrat e bregdetit shqiptar, të jetë më i virgjër sesa në të gjithë mesdheun, më pak i ndotur, më ekologjik, më i ndërthurur me kulturën dhe aksesin me qendrat e kulturës historike sesa gjithë mesdheu, më me pak beton sesa gjithë mesdheu, më me pak dentësi banimi apo rezidenciale për m2 sesa i gjithë mesdheu. Prandaj ne duhet ta ruajmë virgjërinë e bregdetit tonë jo vetëm nga inisiativat spontane të të cilitdo, por edhe nga dyndjet spontane të brendëshme apo të huaja.
Ne nuk duhet të lejojmë as spekulime imobiliare të investitorëve fantazma të huaj, që kanë ndodhur në vitet '90, që kanë blerë për një copë bukë disa dhjetra hektarë sidomos në jug, të cilave u është shumëfishuar vlera sot, as të legalizojmë pa e vrarë mendjen zaptime tokash në bregdet nga të shpërngulur nga nevoja në një dekade dhe as kompensime pa kriter pronash apo ish pronarësh në zonat e zhvillimit turistik të përfshira në strategjinë kombëtare të fushës. Ne duhet ta ruajmë bregdetin për brezat e sotëm dhe ato që do të vijnë. Ne duhet të mbrojmë në këtë mënyrë edhe investimet e sipërmarrësve të sotën vendas dhe të huaj, sepse po të bëhen të njëjtat gabime dhe betonime të bregdetit që janë bërë në Maltë, në bregdetin italian apo spanjoll, në bregdetin e steresë greke, atëhere përderisa flukset masive turistike kanë filluar të largohen nga bregdetet e betonuara të mesdheut drejt atraktiviteteve të Turqisë apo të Egjiptit, këtu nuk do të vijnë nese do të ndodhë ky fenomen.
Kështu që paratë që do të hidhen në beton, siç ka ndodhur në Sarandën gjysëm të shkatërruar por të rekuperueshme në 6-7 vitet e fundit, të mos kthehen më. Të ruajmë kështu edhe investimin kombëtar, pasurinë e investitorëve privatë, përveç vlerave të tregut që ka ekologjia jonë, kultura jonë, historia dhe njerëzit tanë.

Është e rëndësishme të kuptojmë njëlloj, se të shkosh në Europë nuk do të thotë të largohemi nga vendi, por do të thotë që Vlora, gjithë Shqipëria, Ballkani, e gjithë Evropa Juglindore duhet të bëhet si Europa në menaxhimin e territorit.
Nuk mund të ketë lëvizje të lirë drejt Evropës, pa u kërcënuar as nga polici i doganës as nga krimineli, nëse nuk krijojmë levizje të lirë midis vendeve të Ballkanit, pra nëse nuk krijojmë një në zonë europiane, një treg europian, kufij europiane dhe zonë shengesh këtu në Ballkan, natyrisht me rrugë moderne, me dogana të kompjuterizuara, me shërbime administrative fiskale, doganore on line dhe me chip-in në kartën unike të identitetit.
Qeveria ka nënshkruar 8 marrëveshje të tregtisë së lirë midis Shqipërisë dhe vendeve të kësaj zone. Po ashtu po punohet për integrimin e Shqipërisë në tregun rajonal të energjisë. Ne po hyjmë në lidhje të strukturuara me tregun rajonal, me linja e interkonjeksionit që do të lidhë KEK-un e Kosovës, që është termocentral, me KESH-in e Shqipërisë, që është hidro kryesisht, linjat e interkonjeksionit që lidhin Fierzën me Prizrenin, Elbasanin me Podgoricën apo me Shkupin dhe Sofjen.

Dje Parlamenti Europian miratoi Korridorin 8-të si pjesë të projekteve prioritare paneuropiane për t'u financuar edhe nga buxheti europian për zonën e Ballkanit. Tani jemi në etapën e vendimarrjes së Komisionit, Këshillit të Ministrave të BE-së për t'i përcaktuar vendin buxhetor këtij Korridori. Pra, po hyjmë në tregun rajonal. Po ashtu po ndërtohet edhe në Ballkanin Perëndimor infrastruktura e lëvizjes, e komunikimit, e telekomunikimit, e energjisë. Qeveria e Shqipërisë po akseleron këtë vit reformën e gjendjes civile dhe të numrit unik të shtetasve të kompjuterizuar, që do ta bëjë të përgatitur dhe më afër standartit të vendeve të BE-së. Në këtë proces po krijohen edhe institucionet e përbashkëta. Ka inisiativa të dialogut politik ministerial, parlamentar që bashkojnë vendet e Ballkanit në vendimarrje të përbashkët. Nesër mund të ketë një Asamble Parlamentare të vendeve të Evropës Juglindore, që do të ishte e asociuar me Parlamentin Europian apo Këshillin e Evropës.
Po ashtu ka, dhe kjo është shumë e rëndësishme, siç ka këtu në vlorë një Qendër Ndërkombëtare Antitrafik që po aktivizohet, agjenci dhe institucione rajonale të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve që përshkojnë Ballkanin, ku janë anëtar ose ftohen të bashkëpunojnë gjermanë, italianë, grekë, malazezë, amerikanë, kanë tashmë një sistem të organizuar që i kundërvihet krimit të organizuar edhe në shkallë rajonale. Është fakt që skafi i fundit në shtator ‘02, nga flotilia e fundit e mbetur, - këto aktuale janë tentativa për çarje gardhti, - nuk mund të ishte bllokuar nëse roja bregdetare malazeze, pasi iku në drejtim të veriut për të kaluar në Mal të Zi, nuk do të kishte hapur zjarr ndaj gomones së fundit. Pra, shikoni ka ndryshuar ky rajon. Ndalimi i gomoneve dhe trafikut të klandestinëve nga bregdeti juaj, që përfundimisht është i pastër, u bë me një operacion të 4 vendeve për një objektiv.
Së fundi, nuk do të kishim këto rezultate, nëse Shqipëria tashmë nuk do të konsiderohej një vend atraktiv për të huajt dhe partner i besueshëm. Për këtë po sjell në vemendje disa elementë. Po i referohem privatizimit të Bankës së Kursimit, meqë e shoqërova nga afrë procesin për shkak të detyrës, ku kuptova se kjo shitje shumë e suksesshme, më e suksesshmja në të gjithë Evropën Juglindore, sepse u ble 3 herë më lart se vlera e inventarit, ndërkohë që koeficientët e këtyre shitjeve në vendet ish komuniste kanë qenë 1.7-2.3 të vlerës së inventarit, pati një arsyetim. 126 milion dollarë që hodhi Këshilli i ortakëve të Reiffeisen Bank, nuk mund të hidheshin në një vend me risk të lartë politik, nuk mund të hidheshin në një treg që nuk i kthen paratë dhe për një periudhë afat shkurtër. Aq më tepër ato janë hedhur pas një vlerësimi të saktë të elementëve politikë, ligjorë, të sistemit të drejtësië, të parametrave të tregut edhe për rajonin. Reiffeisen Bank ka një strategji rajonale të veprimit bankar, në Kosovë dhe më në veri.
Në kapërcyellin e vitit 2003-2004, kur bëhen zakonisht klasifikimet e azhornuara, Shqipëria në disa agjenci të garantimit të riskut për investimet private, të cilat janë agjenci shtetërore, sepse në çdo vend përgjegjësinë ndaj sipërmarrësve privatë e mbajnë institucionet shtetërore, ka ndodhur rikategorizimi i Shqipërisë në një klasë më lart për garancinë e investimeve. Kemi qenë në kategorinë e 7-të dhe kemi kaluar në të 6-ën dhe të parët e bënë këtë gelgët, të dytët italianët dhe të tretët amerikanët dhe më vjen mirë që të tre vendet janë anëtarë të grupit më të industrializuar të botës, sepse punojnë me të njëjtat kritere vlerësimi. Natyrisht ka në disa prej këtyre vlerësimeve kategori të ndryshme për lloje të ndryshme risqesh. Kategoria e riskut politik, psh., është më e ulët dhe, si rrjedhojë, garancia është më e lartë, sesa kategoria e rrezikut të investimit nga gjyqësori, drejtësia, nga korrupsioni, apo nga burokracia administrative.
Po ashtu ka një bum në trokitjen e investitorëve të kategorisë së mesme dhe të madhe për herë të parë në 12-18 muajt e fundit në mënyrë masive në Shqipëri, sidomos në energji, infrastrukturë, në turizëm dhe përgjithsisht në shërbime. Janë kompani të mesme dhe të mëdha, që kanë investime për një treg më të madh sesa Shqipëria dhe kanë gjetur Shqipërinë si nyje vendimtare ku thuret biznesi rajonal. Këto inisiativa po i udhëheqin mençurisht kompani amerikane, edhe me filialet e tyre në Evropë.
Lajmi i fundit vjen nga një koncorcium amerikan që do të blejë Telekomin. Papritmas në 12 muajt e fundit nga një diskutim i mundimshëm nëse do të bënim dot një TEC në parkun energjitik të Vlorës, tani janë 4 TEC-e. Unë po nxis ministrin e Energjitikës përballë operatorëve shumë të rëndësishëm, që nga Banka Botërore deri tek konsorciume, për një TEC me 4 bateri 300 mega, pra 1200 mega me 1.2 miliard dollarë investim, që të konkurojnë me njëri tjetrin që ne të kapim më të mirin dhe nuk ka për të qenë një. Vlora, për çudinë e të gjithëve, do të jetë nyje tjetër energjitike e sistemit shqiptar, për të cilën asnjë prej regjimeve të kaluara nuk ua merrte mendja. Kështu Vlora do të jetë Fierza e jugut. Të gjitha këto, në mënyrë substanciale, organike dhe jetike janë faktorë stabiliteti.
Por a mund ta shkatërrojë politika ecurinë e zhvillimit? Politika e vjetër, siç duket bën të njëjtën gjë. Politika në përgjithësi është në lëvizje dinamike, në përtëritje dhe unë mund të afirmoj qetësisht dhe aspak për përfitim personal, se përfundimisht në Shqipëri është konsoliduar dhe po zhvillohet një partneritet midis politikës dhe shoqërisë civile dhe sipërmarrjes, të cilin mund ta quaj një koalicion për zhvillim, një koalicion të urtësh dhe sipërmarrjeje kombëtare, që po ushtron trysni gjithnjë e më të ndjeshme dhe më rezultative ndaj politikës së vjetër, që është politika e konfliktit, ndaj informalitetit në ekonomi apo në administratë, pra mospagimi i taksave apo zgjidhja e problemit me rushvet, ndaj informalitetit shoqëror, krimit të organizuar apo viktimizimit të qytetarëve për trafiqe dhe organizatave përfaqësuese të qytetarëve, të interesave të shtetasve, ose shoqërisë civile në përgjithësi, e cila është bërë një faktor i qëndrueshëm stabilitetit dhe zhvillimi. Po e theksoj me një fjalë faktorin kryesor që garanton ruajtjen e këtij zhvillimi nga politika e rrumpalllës: nuk ke ku fshihesh sot nëse je në qeveri. Dhe kjo për shkak të opozitës; për shkak të institucioneve shtetërore të kontrollit; për shkak të partnerëve që financojnë zhvillimin tonë dhe që kërkojnë transparencë, kontrollojnë dhe skontojnë çdo tregues, mënyrë dhe procedurë të përdorimit të financave publike buxhetore apo ndërkombëtare; nuk ke ku i fshihesh organizatave që përfaqësojnë shoqërinë. Ky është mesazhi i integrimit që të gjithë sëbashku po e kuptojmë dhe shpreh bindjen se do ta realizojmë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›