Kryeministri Fatos Nano i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi dhe solidariteti Kryeministrit të Spanjës Hose Maria Aznar, pas atentateve terroriste të paradites së sotme në Madrid, ku humbën je

Kryeministri Fatos Nano i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi dhe solidariteti Kryeministrit të Spanjës Hose Maria Aznar, pas atentateve terroriste të paradites së sotme në Madrid, ku humbën jetën dhe u plagosën njerëz të pafajshëm.
Në këtë mesazh ndër të tjera Kryeministri Nano shkruan:
"Mësova me dhembje lajmin e trishtuar për të vrarët dhe të plagosurit që shkaktuan shpërthimet me bomba sot në Madrit.
Në emrin tim dhe të Qeverisë Shqiptare, dëshiroj t'Ju shpreh Juve dhe familjeve të viktimave, si dhe të dëmtuarve, ndjenjat e simpatisë, të solidaritetit dhe ngushëllime të sinqerta për këtë akt tragjik.
Sulme të tilla terroriste dëshmojnë barbarinë e grupeve ekstremiste. Dënojmë me forcë çdo akt terrorist që drejtohet kundër jetës, sigurisë, qetësisë së njerëzve dhe demokracisë. Jemi të vendosur të vazhdojmë në një front të përbashkët luftën kundër terrorizmit dhe elementëve të tij.
Në këtë ditë të vështirë jemi pranë Jush dhe shprehim bindjen e thellë se Qeveria që Ju kryesoni dhe populli spanjoll do të përballojë me kurajo dhembjen e shkaktuar nga ky akt tragjik".