Komitetit ekzekutiv, në mbrojtje të trajnerëve
Komiteti ekzekutiv i FSHF së, ndryshe nga ç'parashikohej, në mbledhjen e djeshme i ka dhënë më shumë hapësirë diskutimit për figurën e trajnerit, plus çështjeve të tjera që ishin në rendin e ditës. "Të mbrohet figura e trajnerit." Ishte kjo ideja e diskutimit e anëtarëve të KE së, të cilët në unison kanë shprehur mendimin e tyre për këtë çështje, duke parë që trajnerët largohen shpesh nga drejtuesit e klubeve. "Ashtu si lojtarët, të cilat kanë kontrata me klubet, edhe trajnerët duhet ta bëjnë medoemos këtë gjë. Kur bëhen regjistrimet në sektorin e garave, klubet duhet të paraqesin kontratën me trajnerin. Sezonin e fundit është kthyer në modë që trajnerët shkarkohen në një mënyrë jo të drejtë, e më pas nuk i mbron njeri. Nëpërmjet kontratave, ata do të mbrohen nga komisionet juridike të FSHF së. Figura e trajnerit është e shenjtë dhe duhet mbrojtur,"deklaroi anëtari i KE së, Mehdi Bushati. Pra, sipas vendimit të komitetit, tashmë përveç kontratave me lojtarët, për klubet do të jenë të detyrueshme edhe ato me trajnerët. Për këtë sezon, një kusht tjetër për klubet do të jetë paraqitja e kontrollit mjekësor të lojtarëve. KE ja ka emëruar mjekë sportivë, të cilët do të bëjnë edhe licensimin e tyre. Ndërkohë, në mbledhjen e djeshme u miratua edhe top lista e gjyqtarëve kryesorë të sezonit. Do të jenë 32 të tillë, të cilët janë përzgjedhur nga sektori i garave për të mbuluar ndeshjet e kategorisë superiore dhe asaj të parë. Sipas burimeve të sigurta, miratimi i top listës kaloi lehtë dhe pa debate për ndonjë emër të veçantë "bilbili". Shefi i gjyqtarëve, Plarent Kotherja, ka planifikuar për më 21 gusht testimin e "bluzave të zeza". Pas normave, më pas do të publikohen emrat e atyre që do të nisin të gjykojnë që në javën e parë të kampionatit, e cila nis më 24 gusht. Ashtu siç ishte parashikuar, KE ja miratoi dje edhe rregulloren e re të aktivitetit, e cila ka pësuar ndryshime për sa u përket pezullimeve dhe gjobave. Kështu, janë forcuar masat pezulluese, gjithashtu janë rritur gjobat, sidomos për veprimet antisportive që mund të kryhen në ndeshjet e kategorisë superiore, të parë apo të dytë. Ndërsa në kampionatin e moshave janë ulur gjobat dhe janë rritur dënimet, duke pasur parasysh që gjendja financiare e tyre nuk është e mirë.