E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e 105-ta në parakalim, sipas alfabetit kinez

Ceremonia e hapjes: Ekipi ynë nuk është i pari, sepse karakteret vendosin radhën e parakalimit të shteteve

E kemi konsideruar veten me fat që Shqipëria në gjuhët ndërkombëtare shqiptohet Albania, çka na jepte mundësinë që në parakalimet në aktivitete sportive flamuri shqiptar të ishte i pari në radhë. Kështu ka ndodhur në të gjitha përfaqësimet tona ndërkombëtare, kështu ka ndodhur në 5 përfaqësimet tona në Lojërat Olimpike që në debutimin në vitin 1972, në Mynih, e deri në lojërat e fundit, që u zhvilluan në Athinë më 2004. Por në Lojërat Olimpike të Pekinit, për herë të parë, Shqipëria nuk do të marshojë e para (gjithmonë parakalimi sipas rendit afalbetik nis pas Greqisë, që konsiderohet vendi ku kanë lindur lojërat e para moderne olimpike) por e 105-ta, pasi në Kinë ekziston një alfabet i tillë, ku përdoren karaktere, që duke u kombinuar formojnë fjalët. Kjo ka bërë që radha e marshimit të delegacioneve në ceremoninë e hapjes të bëhet sipas alfabetit kinez, pra në bazë të karaktereve që formojnë një fjalë. Shqipëria, sipas këtij alfabeti, renditet në vendin e 105-të, mes 205 vendeve pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike "Pekin 2008". "Shqipëria do të parakalojë e 105-ta në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike "Pekin 2008". Kështu është vendosur nga organizatorët, të cilët kanë marrë dhe OK-in nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (CIO) që rreshtimi i 205 vendeve pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike të bëhet sipas alfabetit kinez,"- konfirmon nga Pekini shefi i misionit të ekipit olimpik, Fidel Ylli. Kështu, në vend të Shqipërisë (Albania) në vend të parë në rreshtimin e ceremonisë së hapjes do të shohim shtetin e Guinesë. Ky sistem i ri rreshtimi në parakalim ka sjellë jo pak rrëmujë te pjesëmarrësit, pasi delegacionet ishin përgatitur për të zbritur në stadiumin "Foleja e Zogut", ku do të zhvillohet dhe ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike të Pekinit sipas sistemit tradicional.

Kësisoj, në alfabetin kinez, pas Greqisë, që del gjithnjë e para, e dyta nuk do të marshojë Albania (Shqipëria) por për herë të parë në një olimpiadë para publikut kinez, pas vendit ku lindën lojërat olimpike moderne (Greqia), do të paraqitet Guinea, që në gjuhën kineze shkruhet Jineiyà dhe ku karakteri i parë ka vetëm 2 linja. Interesant fakti se nëse dy shtete kanë të njëjtin numër linjash të karakterit të parë, atëherë kalohet në karakterin e dytë e kështu me radhë. Italia, që në gjuhën kineze shkruhet Yidalì, përbëhet nga 13 linja dhe do të marshojë e 191-a. Australia, që nis më gërmën "A", ka si karakter të parë Ao, që ka 15 linja, duke zbritur në pistë e 203-ta. Pas saj, e parafundit, është Zambia, që kinezçe shkruhet Zanbiyà dhe që karakteri i parë i saj ka 16 linja. I fundit, si zakonisht, zbret vendi organizator, pra Kina, ndërsa Shqipërinë do ta shohim pasi të kenë parakaluar plot 104 shtete, në vendin e 105-të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›