Projekti për Liqenin ruan kopshtin Botanik
Tiranë- Projekti fitues për rigjallërimin e zonës së Liqenit nuk e prek kufirin e tij, kopshtin Botanik dhe as klubin “Dinamo”. Bashkia e Tiranës ka sqaruar përmes një deklatare për mediat se nuk ka aprovuar asnjë lloj projekti për zhvillim urbanistik në zonën pranë Kompleksit të Pishinave dhe klubit “Dinamo”.
Duke konsideruar rëndësinë strategjike të kësaj zone për të ardhmen e kryeqytetit, Bashkia e Tiranës e ka përcaktuar atë si zonë prioritare dhe ka kërkuar nga investitorët e interesuar zhvillimin e një konkursi ndërkombëtar.
Ky konkurs i organizuar e i financuar prej tyre sipas modelit e standarteve europiane për zhvillimin e një territori me fonde private, ka qenë i nivelit më të lartë ndërkombëtar qoftë për nga cilësia e pjesëmarrësve, qoftë për nga cilësia e Jurisë ndërkombëtare.
“Sa për të bërë dallimin mes kësaj praktike dhe praktikës së zakonshme theksojmë se, nëse në bazë të procedurave ligjore për leje ndërtimi, çdo investitor e ndërtues thjesht paraqet kontratat me pronarët dhe një projekt përfundimtar të pëlqyer prej tij, në rastin në fjalë vetëm për idenë më të mirë janë thirrur pesë studio nga më të famshmet në botë dhe tetë arkitektë e akademikë me famë që kanë gjykuar punën e paraqitur prej studiove në prani të publikut”- thuhet në deklaratë.
Sipas saj, ideja fituese, e cila nuk është as plan përfundimtar dhe aq më pak projekt për zbatim, po vetëm një koncept fillestar zhvillimi, është vlerësuar nga juria e konkursit si një ide që garanton një zhvillim të qëndrueshëm e harmonik mes sipërfaqes së zënë me ndërtim, sipërfaqes së gjelbër dhe pasqyrës ujore të liqenit.
“Kjo ide nuk prek kufirin e Parkut të Liqenit po e thekson atë duke ndërtuar një bulevard këmbësorësh mes parkut dhe qytetit. Kopshti Botanik dhe terrenet sportive të klubit “Dinamo” jo vetëm që nuk preken nga ndërtimet, po rikualifikohen për t’i dhënë një cilësi të re mjedisit në këtë zonë strategjike për kryeqytetin. Por ideja është vetëm fillesa krijuese e një projekti që deri ditën e aprovimit nga Bashkia e Tiranës do të kalojë në një rrugë jo të shkurtër konkretizimi e negociatash deri në detajet më të imta”- shtohet më tej.
Falë këtij projekti Tirana do të ketë një qendër të re në funksion të strategjisë së një kryeqyteti policentrik (me shumë qendra).