Kompania Indra, zhvillon testin për Sistemin Elektronik të Numërimit të Votave
Edhe pse na ndajnë 71 ditë nga mbajtja e zgjedhje parlamentare të 23 Qershorit, një skenë e improvizuar në palestrën e shkollës “Hasan Prishtina” në kryeqytet ka sjellë impaktin e parë të proçesit zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe firma spanjolle INDRA kanë nisur zhvillimin e testit për Sistemin Elektronik të Numërimit të Votave, që do të realizohet në zgjedhjet e 23 qershorit në qarkun e Fierit.
Të pranishëm në testimin e projektit pilot janë përfaqësues të trupit diplomatik, OSBE, NDI, KiE etj.
Sasia e fletëve të votimit në këtë testim paraprak, që fillimisht do të plotësohen dhe më pas do të numërohen, do të jetë rreth 6000 copë.
Sipas këtij projekti, për të simuluar procesin e votimit, janë përzgjedhur grup-mosha të ndryshme zgjedhësish, si studentë, zgjedhës që votojnë për herë të parë, zgjedhës të moshës së tretë etj.
Sipas plan-projektit, KQZ do të caktojë dhe një audit të pavarur për vlerësimin e testimit të parë. Ndërsa raporti do t`i dorëzohet KQZ-së 10 ditë pas testimit, ku do të paraqitet analiza e mbarëvajtjes së projektit.
Një muaj para zgjedhjeve, administrata zgjedhore do të realizojë transportimin e pajisjeve skanera, të cilët do të dërgohen nga kompania mëmë INDRA, me qendër në Spanjë.
KQZ në kontratën e nënshkruar me firmën spanjolle ka marrë me “qira” përdorimin e teknologjisë, pasi sipas administratës zgjedhore kostoja e blerjes së tyre ishte shumë e lartë.
Në qarkun e Fierit është parashikuar që në datën 8 qershor të realizohet testi i parë i përgjithshëm me sistemin elektronik të numërimit të votave. Më pas, procesi më i vështirë do të jetë prodhimi i fletës së votimit që është parashikuar në realizohet më datë 9 qershor.
Pas kompozimit të modelit të fletës, modeli do të dërgohet për t`u përgatitur në Spanjë dhe është planifikuar që ky proces të zgjasë dy ditë. Nga data 10 qershor deri në 12 qershor, kompania dhe KQZ do të marrë nga kompania INDRA fletët e vërteta, dhe një ditë është parashikuar të zgjasë vetëm proçesi i zhdoganimit.
Prodhimi i modelit të fletës së votimit që do të përdoret në qarkun e Fierit, do të jetë dhe “pika e dobët” e proçesit të numërimit, pasi në fletën e votimit nuk duhet të jenë më shumë se 46 subjekte zgjedhore.
Po ashtu, fleta alternative mund të përmbajë jo më shumë se 66 subjekte zgjedhore. Fletët do të dërgohen në vendet e votimit në Fier më datë 14 Qershor, ndërsa më 22 Qershor do të bëhet zerimi i sistemit, një ditë para votimit.