E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompania kineze CNEEC i shpreh Kryeministrit Berisha interesin për të shtrirë investimet në Shqipëri

Kryeministri Berisha priti sot Zëvendës Presidentin e kompanisë CNEEC (China National Electric Equipment Corporation) Zheng Chengjun, një nga kompanitë më të mëdha shtetërore kineze, e cila e zhvillon veprimtarinë e saj në 4 fusha, në infrastrukturë, energji, të shërbimeve si furnizimi me ujë dhe tregti për pajisje elektrike.

Zhvillimet shumë pozitive të ekonomisë shqiptare të viteve të fundit, tha zoti Chengjun, kanë bërë që Bordi i kompanisë sonë të vendosë të shtrijë projektet e investimit edhe në Shqipëri. Prandaj kemi ardhur si delegacion, me këtë përfaqësim të lartë, për të prezantuar interesin e kompanisë sonë në infrastrukturë, ndërtim rrugësh, me garë ose koncesion, vepra energjetike si hidrocentrale, me koncesion ose për llogari të qeverisë, si dhe të shohim mundësinë e projekteve në fushën e menaxhimit të ujërave. Në përbërjen e kompanisë sonë, ne kemi inxhinierë me shumë eksperiencë, që kanë punuar në hidrocentralet e Vaut të Dejës dhe Fierzës, që në vitet ’70, prandaj njohim mirë potencialin e madh hidrik të Shqipërisë. Duke bashkuar këtë potencial me reformat e rëndësishme ekonomike që ju keni ndërmarrë, tha zoti Chengjun, e keni bërë Shqipërinë shumë atraktive për investimet tona. Zoti Chengjun u shpreh shumë i kënaqur me mirëpritjen e institucioneve të tjera të qeverisë shqiptare dhe me informacionin e vënë në dispozicion, për të realizuar projekte në këto fusha.

Kryeministri Berisha, pasi e falënderoi Zëvendës Presidentin e CNEEC për vizitën dhe projektidetë e kompanisë së tij, u shpreh se e quante të rëndësishëm faktin që kjo kompani mund të investojë në Shqipëri. Pasi i prezantoi me hollësi situatën ekonomike dhe potencialet e Shqipërisë, Kryeministri theksoi se fushat e zgjedhura për projekte nga kompania kineze janë edhe fusha prioritare për qeverinë që ai drejton. Në infrastrukturë, sikundër edhe në fushën e energjisë, u bëri të ditur Kryeministri, do të fillojmë së shpejti projekte koncesionare dhe me garë. Kryeministri Berisha garantoi për mbështetjen e fortë të strukturave të qeverisë, për transparencë në bashkëpunim dhe mbrojtje të investitorëve, që garantojnë ligjet, me të cilat operon biznesi në Shqipëri.


17/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›