Kompanitë e Sigurimeve: Ja çmimet e ulura të siguracioneve
Agjencitë e siguracionit të automjeteve, kanë nisur të aplikojnë tarifat e reja, të ulura pas hyrjes në fuqi të ligjit, për liberalizimin e këtij tregu. Nga një vëzhgim i gazetës “MAPO”, dje në Agjencitë e siguracionit të automjeteve, u vu re se çmimi, sipas kapacitetit të makinave, është ulur me mesatarisht 3000 lekë. Në këtë mënyrë, një automjet me kapacitet deri në 1600 cm kub, me tarifat e unifikuara të ministrisë së Financave, paguante 8000 lekë, me tabelën e re të vendosur nga vetë kompanitë e sigurimeve, paguan 5500 lekë. Ndërsa, një automjet me mbi 1600 cm kub nga 11200 lekë, paguan 6500 lekë. Përsa i përket një motoçiklete me kapacitet deri në 150 cm kub, nga 3300 lekë paguan 2500 lekë. Kurse, një motoçikletë me kapacitet mbi 150 cm kub, nga 5400 lekë paguan 4500 lekë. Për furgonat me 5-8 vende, nga 15500 lekë në tabelën e re të siguracioneve, paguhet 12000 lekë. Kurse, për një furgon me mbi 8-15 vende, nga 21 200 lekë paguhet 18000 lekë. Sipas agjentëve të agjencive të ndryshme, çmimet janë ulur mjaft, pas miratimit të ligjit në Parlament dhe ndryshimi nga kompania në kompani, është indiferent prej 1000 lekësh. Agjentët u shprehën për MAPO-n se ky nuk është liberalizim. Çmimet aktuale, sipas tyre, janë më të ultat në rajon dhe Europë. Sipas tyre, të hënën e ardhshme, do të ketë një tabelë të re çmimesh, për sigurimin e makinave, por ata pretendojnë, që çmimet e siguracioneve duhet të ngrihen. Sipas ndryshimeve në ligj, zotëruesit e automjeteve, duke nisur nga muaji shtator i këtij viti, do t’u nënshtrohen një skeme të re pagese, për siguracionin e makinave. Tabela e çmimeve nuk do të jetë më, e unifikuar dhe e përcaktuar nga ministria e Financave, por do të jenë vetë kompanitë, të cilat do të vendosin në mënyrë të pavarur tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut, por më parë do të duhet të njoftojnë zyrtarisht Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare. Në këtë mënyrë, ministria e Financave, ka vendosur të ligjërojë informalitetin e evdientuar në tregun e sigurimeve, duke tentuar të liberalizojë këtë treg. Ndryshimet e bëra në këtë projektligj, diktojnë Autoritetin Mbikqyrës Financiar, të miratojë rregullat për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm dhe nivelin e provigjioneve teknike. Shoqëria e sigurimit, përcakton vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut, dhe fillon t’i zbatojë ato, pasi ka njoftuar zyrtarisht Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare. Megjithëse tarifat do të liberalizohen, ndryshimet në ligj parashikojnë që Shoqëritë e sigurimit të krijojnë rezervat teknike (provigjonet), jo më pak se niveli i rezervave teknike, të përcaktuara nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare. Autoriteti gëzon sipas ndryshimeve të bëra në ligj, të drejtën e miratimit të rregullave për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm dhe nivelin e rezervave teknike. Autoriteti diktohet nga ligji, që nëse konstaton se kushtet e përgjithshme të sigurimit, nuk janë në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore, miraton vendime, të cilat trajtojnë mënyrën, sipas së cilës shoqëria e sigurimit, duhet t’i përputhë ato. Gjithashtu, ligji parashikon si rezultat të liberalizimit, ndryshime edhe në sanksionet që do të vendosen në këto raste.
Tabela
Automjeti Kapaciteti Çmimi ishte Çmimi është
Autoveturë deri në 1600 cm kub 8000 lekë 5500 lekë
mbi 1600 cm kub 11 200 lekë 6500 lekë
Motoçikletë deri në 150 cm kub 3300 lekë 2500 lekë
mbi 150 cm kub 5400 lekë 4500 lekë
Furgon nga 5-8 vende 15 500 lekë 12 000 lekë
mbi 8-15 vende 21 200 lekë 18 000 lekë