E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Zhupa: Si do të punësohen studentët

Cili është qëllimi i këtij panairi?

Në kuadër të zhvillimit të karrierës, një nga elementet që ne ofrojmë për studentët e Universitetit Europian të Tiranës është njohja e tyre me tregun e punës, me punëdhënësit e ardhshëm dhe krijimi i urave lidhëse midis tyre. Panairi në vetvete është konceptuar në formën që kompanitë, institucionet, organizatat më të rëndësishme vijnë në UET dhe intervistojnë për punësim studentët tanë në Bachelor dhe Master. Qëllimi final kuptohet që është punësimi i tyre pranë këtyre kompanive. Ndërsa studentët që nuk i kanë përfunduar ende studimet, e shfrytëzojnë këtë mundësi për praktika profesionale, punësim sezonal, vullnetarizëm në disa organizata të ndryshme, siç është rasti i Kryqit të Kuq Shqiptar, që ishte i pranishëm në panair, dhe nesër kur këta të rinj të kenë mundësi për punësim të kenë një CV më të pasur.

Sa kompani kanë marrë pjesë në të?

Në panair kanë marrë pjesë 33 kompani, institucione dhe organizata, që janë institucionet më të njohura në vend dhe që rekrutojnë më shumë punëmarrës, sepse janë të mëdha. Sigurisht që janë edhe disa institucione që kishin realisht vende të lira pune në këtë periudhë. Kompanitë pranuan ftesën e UET-it me shumë kënaqësi dhe u treguan të gatshme të bënin ç’të mundnin nga ana e tyre që ky panair të rezultonte i suksesshëm, sikurse edhe ndodhi.

Sa vende pune kanë ofruar kompanitë për studentët?

Secili prej subjekteve pjesëmarrës në panair kishte mesatarisht tre vende të lira pune dhe intervistat që përfaqësuesit e tyre bënë me studentët e UET-it u zhvilluan në varësi të pozicionit që ata kërkonin të punësonin. Pra, në total, në këtë panair janë ofruar gati 100 vende pune për studentët. Veç kësaj, studentët ishin njohur paraprakisht nga universiteti me listën për vendet e punës që subjektet ofronin dhe në këtë mënyrë shkonin në intervista jo vetëm me CV, por edhe me një letër motivimi për pozicionin që ata kërkonin.

Si do të bëhet përzgjedhja e studentëve që do të pranohen?

Panairi i Punës është faza e parë e punësimit të studentëve. Zyra e Karrierës në UET do të jetë ndërmjetësuesja midis subjekteve punëdhënëse dhe studentëve që kanë rezultuar të suksesshëm në këtë fazë. Kjo do të thotë që kompanitë nga të gjithë të intervistuarit, studentët që kanë zgjedhur për t’i punësuar do të ndihmohen nga ne për të gjitha dokumentet e nevojshme që do të përmbajë dosja e tyre personale për punësim në intervistën e dytë që do të bëhet në ambientet e secilës kompani. Ndërkohë që vlen për t’u theksuar se edhe pas punësimit, studentët e punësuar i ruajnë marrëdhëniet me universitetin. Zyra e Karrierës në UET vazhdon të mbajë lidhje me ta edhe si ish-studentë (që është ALUMNI), interesohet për karrierën e tyre profesionale, pse jo duke i parë edhe si punëdhënësit e ardhshëm. Ka ndodhur që një student i këtij universiteti, gjatë panaireve të mëparshme është punësuar nga një kompani private, ndërkohë që sot, ky ish-student ka qenë i pranishëm në panair si punëdhënës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›