E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompanitë e naftës deklarohen me humbje, nuk paguajnë taksa

Emirjon Senja

Ligji për privatizimin e Albpetrol-it vazhdon të shkaktojë debate në politikë, ku mazhoranca dhe opozita akuzojnë njëra-tjetrën për falje të pronës publike dhe nënshkrim të kontratave koncesionare në dëm të interesave të vendit. Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço pranoi dje që kontratat e nënshkruara me kompanitë koncesionare në sektorin e naftës nuk janë në kushtet më të mira për buxhetin e shtetit, si edhe faktin se ekzekutivi nuk ka mundësi të verifikojë shpenzimet dhe të ardhurat e kompanive që ushtrojnë aktivitet në fushën e hidrokarbureve. Ne i kemi gjetur këto kontrata të tilla dhe për rrjedhojë do ti zbatojmë. Kontratat i kanë lidhur socialistët, të cilët tani na akuzojnë për shitje të detit apo pasurive nëntokësore. Aq i kemi njohuritë tona në këtë fushë dhe është Agjencia Kombëtare e Hidrokarbureve që i mbulon këto. Kemi bërë kontrolle te vazhdueshme, por tregu është i tillë, njohuritë tona janë të tilla në fushën e hidrokarbureve që nuk kemi arritur të bëjmë një kontroll të saktë, – tha Naço gjatë vizitës në Panairin e Ndërtimit.

Por socialistët kanë një tjetër shpjegim në lidhje me këtë. Sipas tyre, aktualisht vendi ka të lidhura katër marrëveshje hidrokarbure dhe vetëm një marrëveshje është gjatë periudhës së qeverisjes së PS-së dhe kjo është bërë bazuar në dekretin fiskal të Presidentit Berisha në vitin 1994, që i ka njohur si shpenzime të zbritshme kompanive për efekt të llogaritjes së fitimit, shpenzimet kapitale, shpenzimet operative, ato administrative, etj. Tatimi mbi fitimin i vendosur asokohe ishte në masën 50 për qind për kompanitë koncesionare. Pagesa e tij bëhej i detyrueshëm pasi kompanitë të shlyenin investimet si edhe nga shuma të zbriteshin shpenzimet e zbritshme (investime, paga, etj). Të njëjtat kushte ndoqën edhe socialistët gjatë qeverisjes në periudhën 1997-2005. Pavarësisht deklaratave politike, duke se ky përcaktim i lejon kompanitë që të shesin qindra mijëra ton naftë duke mos paguar asnjë lekë tatim.

Qeveria i ka nxjerrë në shitje të gjitha aksionet shtetërore tek Albpetrol duke parashikuar që për 25 vjet tia japë privatit të drejtën e shfrytëzimit të vendburimeve, por edhe përfitimet e tjera nga marrëdhëniet kontraktuale të kësaj kompanie me koncesionarët në sektorin e hidrokabureve. Ekzekutivi kontraktoi kompaninë amerikane Patton Bogs si konsulente për shitjen e Albpetrol. Pas vlerësimit të bërë, kompania në fjalë doli në përfundimin se Albpetrol vlen aktualisht 420 milionë dollarë. Por a është kjo vlera reale e kompanisë? Albpetrol ka gjithsej 4 000 puse në inventar, nga të cilët vetëm 1 260 janë në shfrytëzim, 1 500 i përkasin fondit të ndaluar dhe pjesa e mbetur mbahet nën vëzhgim. Pjesa më e madhe e puseve të mira i janë dhënë tashmë me koncesion kompanive të huaja,të cilat edhe i shfrytëzojnë.

Qeveria rrit piacën me listën C

Në inventarin e Albpetrol gjendet pjesa më e varfër e puseve të naftës pasi zonat më të mira janë dhënë tashmë tek privatët. Nisur nga kjo, qeveria nuk ka se çti ofrojë blerësve të mundshëm të Albpetrol-it me inventarin aktual përveç godinave dhe aseteve të tjera të rrënuara duke u detyruar që të përfshijë nën pronësinë e kësaj kompanie edhe vendburime të reja. Kësaj logjike i shkon edhe futja rishtazi e një liste të re vendburimesh gjatë miratimit të ligjit ditën e enjte në parlament.

Gjatë diskutimeve për ligjin, bashkëlidhur tij gjendeshin vendburimet e naftës të përfshira në listën A dhe atë B, por me një amendament, mazhoranca futi edhe një listë tjetër, atë C, e cila në parim rrit vlerën e Albpetrolit. Lista C përmban vendburime të reja, të cilat kalojnë automatikisht nën administrimin e pronarëve të rinj të Albpetrolit do të miratohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Por cilat janë vendburimet e reja të përfshira në këtë listë dhe që do të kalojnë nën administrimin e privatit që do të blejë Albpetrolin? I pyetur për këtë, ministri i Naço tha se bëhet fjalë për zonën midis Tiranës dhe Durrësit.

U shitën 900 mijë tonë naftë, zero lekë tatim-fitim në buxhet

Shteti bazohet mbi deklarimet e kompanive koncesionare të naftës për sa i përket vjeljes së taksave duke mos bërë kontrolle nëse bilancet janë të vërteta apo jo. Një fakt i tillë rrit edhe më tepër dyshimet për fshehje të fitimeve me një ndikim për miliona dollarësh në buxhetin e shtetit. Të dhënat e vitit të shkuar tregojnë se kompanitë e naftës që operojnë në Shqipëri kanë shitur plot 900 mijë tonë naftë me një vlerë të përafërt prej rreth 450 milionë dollarë. Pyetja që ngrijnë ekspertët si edhe deputetët e opozitës lidhet me faktin se si ka mundësi që të dalë vazhdimisht me humbje një kompani që shpenzimet i mbulon vetëm nga shitja e naftës për vetëm një vit?

Lidhur me këtë, Naço tha se qeveria nuk ka mjetet dhe ekspertizën për të bërë kontrollet prandaj edhe po shet Albpetrol-in. Sipas ligjit të miratuara pak ditë më parë, do të jetë pronari i ri i Albpetrol që do të kontrollojë koncesionet e naftës. Kjo është edhe një nga arsyet që ne do tia shesim këtë të drejtë, kësaj kompanie, që do të privatizojë Albpetrolin, që të kontrollojë nëse investimet janë siç deklarohet nga kompanitë apo jo, – tha Naço. Debatet mbi detyrimet që paguajnë kompanitë koncesionare të naftës nisen gjatë diskutimit dhe miratimit të ligjit për shitjen e kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol.

Bilanci me humbje i kompanive koncesionare të naftës është bërë tepër problematik për faktin se ato vazhdojnë të shesin sasi të mëdha nafte duke shfrytëzuar pasuritë nëntokësore të vendin, ndërsa mjaftohen me pagesën e rentës minerare, e cila ska të krahasuar me detyrimin që duhej të derdhej nëse do shlyej tatimi mbi fitimin. Shembulli për këtë është një kompani, cila ka deklaruar rreth 900 milionë dollarë shpenzime dhe rreth 700 milionë dollarë të ardhura duke rezultuar me një bilanc negativ prej 200 milionë dollarë, gjë e cila e përjashton atë nga detyrimi për të paguar tatim mbi fitimin.

Ligji për shitjen e Albpetrolit u miratua ditën e enjte në parlament me 71 vota pro dhe 49 kundër përmes debateve të shumta midis deputetëve të majtë dhe mazhorancës. Nafta që prodhohet nga kompanitë e ndryshme koncesionare në Shqipëri ka një kosto nxjerrjeje prej rreth 30 dollarë për fuçi, e cila deklarohet nga kompanitë se shitet më pas me rreth 60 dollarë në treg.

Pagë 6 milionë lekë në muaj për çdo person!

Diferenca midis të ardhurave dhe shpenzimeve të kompanive koncesionare të naftës vërehet menjëherë sapo sheh bilancin e tyre. Portali energjia.al publikoi dje bilancin e njërës prej kompanive koncesionare për vitin 2011 sipas të cilit, shfrytëzuesi i njërës prej fushave më të mëdha naftëmbajtëse të vendit ka harxhuar 2.6 milionë lekë për pagat e punonjësve (350 të tillë), 1.2 milionë dollarë për punonjës të tjerë me kohë të pjesshme. Në total, kompania në fjalë deklaron se totali i pagesave për menaxhimin e kompanisë arrinte në rreth 17 milionë dollarë në një vit.

Autoritet dyshojnë për rritje artificiale të shpenzimeve nga ana e kompanive koncesionare me qëllim shmangien nga tatim-fitimi. Megjithatë, përveç dyshimeve deri më tani nuk është zhvilluar një auditim konkret ndaj kompanive në fjalë. Plani i investimit të tyre është miratuara në momentin e lidhjes së marrëveshjes.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›