E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompanite italiane dhe nderkombetarizimi i Shqiperise

Në një editorial të prestigjozes italiane “Il sole 24”, pasqyrohen në detaj zhvillimet dhe progreset e fundit që vendi ynë ka bërë gjatë këtyre viteve të fundit. Në shkrimin me titull “kompanitë italiane dhe ndërkombëtarizimi i Shqipërisë”, kjo media u bën thirrje investitorëve të huaj, kryesisht italianëve t’i drejtohen Shqipërisë për të financuar pasi, sipas saj është një vend ku ja vlen të investosh. Vendi i shqiponjave, citohet në shkrim, ka përmbushur hapa të rëndësishem kundrejt një ekonomie më moderne të tregut në gjendje të thithë investimet e huaja direkte kryesisht për bizneset e vogla dhe të mesme. E gjithë kjo komenton artikulli është arritur falë procesit të privatizimit të aseteve kryesore shtetërore dhe me reformat ligjore për të drejtat e biznesit, ato sociale e fiskale që sigurojnë një klimë të favorshme për operatorët ekonomik të huaj. Më tej në editorial citohen ligjet e aprovuara në Parlamentin shqiptar për mbrojtjen e investitorëve duke u harmonizuar me standardet e BE. Një nga ligjet kryesore është ai i trajtimit në mënyrë të barabartë te biznesit vendas dhe atij të huaj dhe ku të gjithë sektorët janë të hapur për të gjithë operatorët e huaj. Ndër të tjera citohet edhe paketa fiskale që qeveria ka miratuar mbi taksën standarde të sheshtë në kuotën e 10% për të ardhurat e bizneseve dhe kompanive. Me një taksë të tillë shkruan e përditshmja italiane, Shqipëria ka bërë më të mirën në këtë fushë krahasuar me vendet e tjera të ballkanit për të tërhequr investitorët ndërkombëtarë. Po kështu një tjetër përfitim i të huajve për të investuar në Shqipëri janë edhe kontributet e ulëta të sigurimeve shoqërore. Shkrimi i “il sole 24 ore”, nuk lë pa përmendur të gjitha vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare si BB, IFC, mbi lirinë ekonomike e “doing bisness” duke cituar se Shqipëria është lideri i ballkanit në mbrojtjen e të drejtave të investimeve të huaja direkte. Në editorial nuk është harruar të përmendet edhe lidhja tregtare mes të dy vendeve. Rritja e të ardhurave për frymë për klasën e mesme shqiptare ka shënuar një rritje të kërkesës ndaj produkteve “Made in Italy” në të gjithë sektorët që nga ai i veshmbathjes e deri tek teknologjia dhe makineritë. Pikërisht në këta sektorë, këshillon gazeta, duhet të përqëndrohen investitorët italinë. Por shton më tej edhe sektorin e infrastrukturës, si ai i rrugëve rurale apo edhe atë hekurudhor. Kjo media e rëndësishme italiane, ka evidentuar edhe sektorë të tjerë ku mund të përfshihen kompanitë e huaja sic është ai i mjedisit, i energjisë dhe turizmit. Nëse bregdeti shqiptar do të shfrytëzohej mirë, vendi i shqiponjave do të kthehej në një pol turistik i një bukurie të rrallë, perfundon shkrimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›