E Diel, 1 Nëntor 2026

Bien dërgesat e emigrantëve, euro përsëri në kuota të larta

Monedha europiane forcohet përsëri pas një stabiliteti disamujor. Në kursin e këmbimit valutor një euro është shkëmbyer me 140.2 lekë kundrejt 138 që ka qenë këmbyer më parë.

Forcimi i kësaj monedhe në tregun vendas sipas specialistëve vjen si pasojë e mungesës së valutës në treg. Kjo për shkak të rënies së dërgesave të emigrantëve dhe investimeve të huaja. Rënia e remitancave ka ardhur si pasojë e forcimit të krizës ekonomike në vendet e Europës, e sidomos në dy vendet fqinje.

Numri më i madh i shqiptarëve, të cilët janë emigrantë punojnë në vendin Helen duke u prekur kështu direkt prej krizës. Në këtë mënyrë prurjet e euros në Shqipëri prej emigrantëve janë pakësuar ndjeshëm, duke bërë që të ketë pak valutë europiane në treg. Vlerësimi i euros në këto kuota pritet të ndikojë direkt në xhepat e qytetarëve shqiptarë, duke qenë se të gjitha kreditë merren në monedhën euro.

Një euro e fortë penalizon klientët e bankave që kanë marrë kredi në këtë monedhë, duke i detyruar ata që të paguajnë më tepër se ata paguanin. Gjithashtu një euro e fortë ndaj monedhës shqiptare i bën më të shtrenjta importet, duke ndikuar në rritjen e produkteve të ndryshme, si dhe rrit kostot e qeverisë për pagesën e borxhit të jashtëm. Avantazh ose ata që përfitojnë prej kësaj, janë eksportuesit, norma e fitimit të së cilëve do të rritet duke qenë se i blejnë mallrat në lekë dhe i shesin në euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›