E Shtunë, 31 Tetor 2026

MF, fushatë sensibilizimi për amnistinë fiskale

Amnistia përfundon më 31 mars dhe burime zyrtare nga MF-ja informojnë se ky dikaster është i vendosur të mos e shtyjë më asnjë ditë këtë nismë.

Në këto kushte, ministria ka ndërmarrë një fushatë intensive për të ndërgjegjësuar qytetarët, që të bëhen përfitues nga kjo amnisti sa më parë, me qëllim që të shmanget fluksi i të interesuarave në ditët e fundit, ashtu sikurse ndodhi në dhjetor të vitit që shkoi.

Burime zyrtare nga ministria e Financave konfirmojnë se janë shtypur 500 postera, ku ilustrohet qëllimi i amnistisë fiskale, të cilat janë duke u vendosur aktualisht në të gjitha qytetet, në rrugët kombëtare dhe në çdo pikë kufitare.

Po ashtu do të hidhen në qarkullim 50 mijë broshura, të cilat përmbajnë informacion bazë si dhe adresat dhe numrat e kontaktit, ku të interesuarit mund të marrin informacion të drejtpërdrejtë nga autoritetet financiare për amnistinë fiskale.

Struktura të Ministrisë së Financave janë tashmë në gatishmëri të adresojnë çdo të interesuar drejt masave që duhet të marrin dhe institucioneve që duhet t’u drejtohen, për t’u bërë përfitues nga amnistia fiskale.

/Start/E.B/

                                                                                             2012-02-25 12:59
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›