Kompasi, Gjykata e Lartë: Rigjykim për Arjan Selimin
Gjykata e Lartë vendos të rikthejë për rigjykim dosjen penale ndaj Arjan Selimit dhe Arjan Shabanit, dy nga të akuzuarit e dosjes “Kompas”. Kolegji Penal gjatë shqyrtimit të dosjes ka konstatuar shkelje të shumta procedurale, ndaj ka vendosur që dosja të rishikohet nga e para në Gjykatën e Krimeve të Rënda, por me një tjetër trup gjykues. Për 6 të pandehurit e tjerë, Muhamet e Blenard Fejzullau, at e bir, Fatmir Kuçi, Dritan Kuçi, Kujtim Popoçi, Petraq Avrami, vendimi është lënë në fuqi. Më 11 janar të 2008-s, Gjykata e Krimeve të Rënda i shpalli fajtorë tetë të pandehurit për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Të pandehurit i kanë mohuar akuzat dhe e apeluan çështjen në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, e cila vendosi të linte në fuqi vendimin e mëparshëm. Sipas prokurorisë, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin trafikonin drejt Italisë sasi të ndryshme narkotikësh, që silleshin fillimisht nga Turqia në Shqipëri. Nën këtë akuzë u arrestuan mjaft persona në Tiranë dhe Itali, por shumë shpejt në qeli mbetën vetëm të pandehurit, pasi autoritetet italiane e kanë përfunduar shumë kohë më parë procesin ndaj pjesës tjetër të grupit.
#