E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anija Brustel, çështja drejt gjykatës

Policia merr në pyetje marinarët. Gati padia për rrogat e prapambetura

Prokuroria dhe gjykata do të jenë destinacioni i radhës për çështjen e marinarëve të anijes “Brustel”, të cilët ankohen për mosmarrjen e pagave dhe keqtrajtim nga punëdhënësi. Pas kthimit nga Libia, kapiteni i anijes dhe marinarët e mbërritur në atdhe janë thërritur nga drejtues të Seksionit të Krimit Ekonomiko-Financiar pranë Drejtorisë së Policisë Durrës, për të dëshmuar në lidhje me konfliktin e hapur mes tyre dhe pronarit të kompanisë “Bruno shpk”. Korrespondenca mes ekuipazhit, familjarëve të tyre dhe Ministrisë së Jashtme për riatdhesimin është bërë shkak i nisjes së një hetimi paraprak për problemet financiare. Lajmin e bën të ditur për gazetën ish-kapiteni i anijes, Armando Ulqinaku, njeriu që bëri publike situatën e ekuipazhit të anijes së bllokuar në Portin libian të Misuratës 3 muaj më parë. “Me t’u kthyer në atdhe, pjesëtarë të ekuipazhit kanë bërë përpjekje përmes takimeve me pronarin e anijes të arrihej ndonjë marrëveshje për shlyerjen e rrogave të papaguara. Deri në këtë moment, asgjë nuk është bërë. Jemi përsëri të papaguar. Personalisht nuk e kam kontaktuar, pasi reagimi ndaj marinarëve të tjerë ka qenë negativ. Nuk presim ndonjë gjë të re nga ai, ka gënjyer dhe mashtruar dhe po tregon se do të vazhdojë ta bëjë përsëri. Në këto kushte, kemi ngarkuar përfaqësuesin tonë ligjor, një avokat për të hapur çështje civile në ngarkim të pronarit të anijes. Kjo çështje ka lidhje me marrjen e pagave tona”, tha Ulqinaku. I pyetur mbi argumentet në të cilat do të mbështetet procedimi civil i pesë ish-pjesëtarëve të ekuipazhit të anijes me flamur shqiptar, “Brustel”, që kërkojnë pagat e tyre, ndërkohë që mungojnë kontratat paraprake të punës mes tyre dhe punëdhënësit, ish-kapiteni shpjegon se janë pasaportat detare të çdo marinari që dëshmojnë të qenët pjesë e ekuipazhit të anijes, duke fiksuar dhe ditën e vendin e imbarkimit dhe njëkohësisht periudhën e kohës së punës në anije. Ka dhe një sërë dokumentesh të tjera që e dëshmojnë këtë. “Jemi në të drejtën tonë dhe kërkojmë atë që nuk na është dhënë deri më sot, rrogat. Nuk janë thjesht mund e djersë, por gjak”. Ndërkaq, lidhur me hetimet që kanë nisur për abuzimet financiare dhe të tjera probleme të konstatuara, Ulqinaku deklaron se ai dhe marinarët e tjerë janë thirrur në takime të ndryshme “nga shefi i Departamentit të Krimit Ekonomiko-Financiar, si pjesë të asaj që ka ndodhur dhe pasojave që ende po kalojnë”. Letrat dhe fakset e ekuipazhit drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, duket se janë bërë shkak për nisjen e hetimeve mbi situatën në të cilën janë përfshirë një pjesë e marinarëve të anijes, duke nxjerrë në pah probleme thelbësore me të cilat ndeshen sot të gjithë të punësuarit, profesionistë ose jo në det. Ulqinaku dhe marinarët e tjerë kanë dëshmuar për kontratat e munguara të punës dhe ato që kanë kaluar, ndërsa deklarojnë se nuk do të tërhiqen derisa problemet e tyre financiare të marrin fund, duke marrë atë që u takon atyre dhe familjeve, larg të cilëve kanë ndenjur për afro një vit. Marinarët e “Brustel” kërkojnë pagën e papaguar të 6 muajve të fundit, e cila nuk u është shlyer dhe ka vënë në vështirësi ekonomiko-financiare familjet e tyre.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›