Kompensim 100% për familjet në nevojë
11/02/2010 Tekstet shkollore
Qeveria ka miratuar vendimin për të kompensuar në masën 100 për qind tekstet shkollore për të gjithë fëmijët e familjeve me ndihmë ekonomike dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara. Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave, sipas të cilit fëmijët e familjeve në nevojë do të kenë mundësi të pajisen me të gjithë tekstet shkollore, të cilat do të kompensohen tërësisht nga Qeveria. Por kreu i Qeverisë, duke e parë në këndvështrimin politik ka theksuar se ky vendim ka qenë një premtim konsensual elektoral si i pozitës, ashtu edhe i opozitës. “Këtë vendim shqiptarëve ua premtoi si pozita, ashtu edhe opozita dhe unë kam shumë kënaqësi ta shndërroj në realitet, sepse të mirat ndahen dhe në një vendim të mirë po e ndajmë së bashku me opozitën, ndaj dhe përgëzoj Ministrinë e Arsimit që ka sjellë këtë vendim shumë të rëndësishëm”, deklaroi Kryeministri Berisha. Aktualisht, para se të merrej vendimi i ditës së djeshme, kompensimi në masën njëqind për qind teksteve shkollore u bëhej vetëm për arsimin parauniversitar. Gjithashtu kanë përfituar marrjen e teksteve shkollore, pa asnjë detyrim financiar, të gjithë fëmijët jetimë dhe ata me aftësi të kufizuara. Ndërkohë për pjesën tjetër të fëmijëve kompensimi ishte në masën 50 për qind. Mësohet se rimbursimi i kësaj shtrese të shoqërisë shqiptare fillon të shpërndahet në këtë periudhë. Prindërit duhet të dorëzojnë kuponin, për të përfituar kompensimin e përcaktuar.