E Diel, 1 Nëntor 2026

Shitjet e apartamenteve, Pogradeci më i shtrenjti

11/02/2010  Një metër katror kushton 46.057 lekë, sivjet çmimet më të shtrenjta se një vit më parë
KORÇE- Qytetet e qarkut të Korçës, ku bëjnë pjesë Korça, Pogradeci, Bilishti, Erseka, Maliqi dhe qyteti i Leskovikut, kanë nisur të rivalizojnë mes tyre me çmimet e shitjes së apartamenteve. Nga të dhënat statistikore duket qartë se çmimet e shitjes lëvizin ndjeshëm nga njëri qytet te tjetri. Ajo çka bie në sy ka të bëjë me faktin se atje ku kërkesat për blerje apartamentesh janë më të shumta, edhe çmimet e tyre janë më të larta, ndërsa atje ku kërkesat kanë qenë më të ulëta, edhe çmimet kanë qenë të tilla. Aktualisht është më e vështirë të blesh një apartament në qytetin e Pogradecit, ndërsa shumë më e leverdishme të gjesh një hyrje në qytetin e Korçës. Ndërkohë, qytetet e tjera kanë një çmim gati të përgjysmuar, çka do të thotë se në qytetin e Leskovikut mund të sigurosh një apartament me një shumë mjaft të vogël, krahasuar kjo me Pogradecin dhe Korçën, ku ndërkohë Bilishti dhe Erseka, pothuajse barazohen me çmimet që ofrojnë. Megjithatë, Bilishti mbetet qyteti më i shtrenjtë në krahasim me qytetin e Kolonjës. Gjithsesi, ajo që vendos mbi këto çmime ka të bëjë edhe me faktin se çfarë ofrojnë këto qytete në veçanti, madje me atë se çfarë ofron e nesërmja e tyre. Edhe qyteti i Maliqit në rrethin e Korçës, që më shumë i ngjan që qyteze apo një fshati, qëndron më lart në çmime edhe në krahasim me qytetin e vjetër të Leskovikut.
Çmimet mesatare
Tashmë, pas daljes së vendimit të qeverisë për përllogaritjen e çmimeve mesatare të shitjes së apartamenteve, është bërë edhe më e dukshme diferenca e çmimeve mes qyteteve të qarkut Korçë. Më konkretisht, nisur nga përllogaritjet që ka kryer Enti Kombëtar i Banesave, dega Korçë, rezulton se në Pogradec një apartament shitet me 46.057 lekë metri katror, në Korçë me 45.500 lekë metri katror, në Bilisht me 35.680 lekë metri katror, në Ersekë me 24.959 lekë metri katror, në Maliq me 29.406 lekë metri katror dhe në Leskovik me 20.243 lekë metri katror. Gjithçka tregon qartë se trendi i kërkesave shkon në rritje në drejtim të qytetit të Pogradecit. Ekzistenca e liqenit ka përmbysur çdo parashikim të mundshëm, aq më shumë që ky qytet të dilte mbi qytetin e Korçës. Por e vërteta është se ky qytet ka rritjen më të madhe në shkallë qarku për sa u përket ritmeve të rritjes së popullsisë nga lëvizjet mekanike, nga lindjet për 1000 banorë, dhe ndërkohë shënon largime më të pakta në krahasim me qytete e tjera të këtij qarku.
Nesër Pogradeci, qyteti më i shtrenjtë
Çmimet mesatare të apartamenteve duket se janë një tregues tjetër që nxjerr në pah ecurinë e qyteteve të qarkut Korçë. Këto çmime nuk mund të jenë fiktive, pasi mbi bazën e çmimeve mesatare të përllogaritura do të paguhen taksat, tatimi mbi fitimin dhe tatimi mbi vlerën e shtuar. Madje vendosja e çmimeve parashikon parandalimin e informalitet në çmime, me qëllim që biznesi të mos shmangë detyrimet reale financiare. Ndërkohë nga të dhënat që ofron Enti Kombëtar i Banesave mësohet se në krahasim me vitet e tjera, çmimet e shitjes së apartamenteve në krahasim me vitin 2008, kanë pësuar një rritje të vogël që shkon nga 3 deri në 5 mijë lekë, por ka pasur edhe raste ku rritja e çmimeve ka qenë pothuajse maksimale, deri në 8 mijë lekë për metër katror. Të gjitha këto tregojnë se nesër në qytetin e Pogradecit do të jetë mjaft e vështirë për të blerë një apartament, pasi ky qytet do jetë më i shtrenjti në shkallë qarku, ndërsa pas tij duket se do të renditet Korça dhe pas saj, Bilishti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›