Për herë të katërt gjykata “rrëzon” manovrat e Aldo Bares
11/02/2010 Deklarohen pa bazë ligjore kërkesat e bëra nga Vladimir Meçi
TIRAN˖Gjykata e Tiranës vendosi dje të mos marrë parasysh asnjë nga kërkesat e bëra nga avokati Vladimir Meçi, që kanë të bëjnë me pavlefshmërinë e akteve të hetimit, si dhe me shuarjen e masës së sigurimit për klientin e tij Aldo Bare. Në prani të 44-vjeçarit, trupi gjykues lexoi vendimin e marr në unanimitet për të pranuar kërkesat e avokatit dhe për t’i hapur rrugë vazhdimit të seancës gjyqësore. Procesi gjyqësor sipas trupit gjykues pas vendimit të dhënë duhet të vazhdojë normalisht me marrjen e provave kundër bosit të organizatës kriminale, që ka shtrirë veprimtarinë e tij në qytetin e Lushnjës për vite me radhë. Edhe një herë dje avokati mbrojtës pretendoi se kërkesat e tij janë të ligjshme dhe si të tilla duhet të pranohen. Këto kërkesa u kundërshtuan nga akuza me argumentin se janë të pabazuara në prova dhe në ligj e në fund nga trupi gjykues. Sipas gjykatës, të gjitha veprimet procedurale të kryera nga organi i Prokurorisë që kanë të bëjnë me fillimin e procedimit penal, me zgjatjen e afateve dhe me komunikimin e masë së sigurimit, janë kryer në bazë të të gjitha rregullave ligjore. Kolegji Penal i drejtuar nga Fatmira Hajdari arsyetoi se pretendimeve të Bares u mungon baza ligjore. Kolegji Penal i drejtuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari gjykoi dje se pretendimet e të pandehurit nuk kanë bazë ligjore dhe për rrjedhojë duhet të rrëzohen. Ka mjaftuar ky vendim dhe menjëherë avokati i Bares, Vladimir Meçe, kërkoi që të shtyhet seanca për shkak se i duhet të konsultohej me klientin e tij për qëndrimin që do të mbante në vazhdim të këtij procesi. Kërkesa u pranua dhe seanca e radhës u la për më 17 shkurt. Avokati i Bares prej disa seancash ka përdorur disa alternativa për të mbyllur këtë proces ndaj klientit të tij. Sipas Meçes, në këtë proces jemi përballë pavlefshmërisë së akteve si dhe pushimit të dosjes për tejkalim afatesh. Më tej avokati vijon me pretendimet e tij se edhe dy prej akuzave të ngritura në kohë nga Prokuroria kundër Aldo Bares, janë parashkruar. Sipas avokatit, shkatërrimi i pronës me zjarr dhe dhunimi i varreve, nuk mund të jenë në dosje, pasi janë akuza që kanë më shumë se pesë vjet që janë kryer dhe nga koha e kryerjes nuk është bërë asnjë veprim procedural. Ndërkohë që akuza nga ana e saj i ka thënë gjykatës se nuk duhet të marrë parasysh asnjë nga kërkesat e parashtruara në deklaratën e një jave më parë nga avokati Vladimir Meçe. Sipas akuzës, arrestimi, hetimi dhe më pas zgjatja e afateve të hetimit për të gjitha veprat penale që rëndojnë mbi Aldo Baren, janë kryer në bazë të të gjitha rregullave. Sipas akuzës, Aldo Bare, së bashku me avokatin e tij, janë duke bërë manovra nga më të ndryshmet për t’iu shmangur hetimit gjyqësor.
Arrestimi i Bares në Turqi
Aldo Bare u arrestua më 25 mars të vitit 2006 në Ankara. Alfred Shkurti, i njohur me nofkën Aldo Bare, konsiderohet nga drejtësia shqiptare si drejtuesi i bandës kriminale të njohur me emrin si Banda e Lushnjës. Aldo Bare u arrestua nga policia turke në Ankara, i maskuar me një pasaportë false maqedonase me emrin Mikel Kodra. Arrestimi i Bares u bë pas një bashkëpunimi me policinë turke dhe Interpolin e Ankarasë, si dhe një numër policish të vendeve të tjera partnere. Për 3 vjet drejtësia shqiptare punoi për ekstradimin e Bares në Shqipëri.