Kompensim për bukën dhe dritat jo vetëm kryefamiljarët
Kompensim për energjinë elektrike, bukën apo për rritjen e çmimeve duhet ta marrin të gjithë pensionistët dhe jo vetëm kryefamiljarët. Situata e vështirë që ka përfshirë vendin nga rritja e çmimeve ka prekur më shumë shtresën e pensionistëve, të cilët marrin përfitime tepër të vogla mujore. Aktualisht, sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave, përfitojnë kompensim për energji elektrike dhe për bukën e përditshme të gjithë ata pensionistë që janë kryefamiljarë. Sindikata e Pensionistëve ka kërkuar që qeveria të marrë një vendim për të përkrahur këto kategori në nevojë, të cilët me pensionet që kanë sot nuk mund ta përballojnë njëherësh rritjen e ushqimeve, rritjen e çmimit të energjisë elektrike, rritjen e çmimit të bukës. Aktualisht, pensioni minimal në qytet është 10 mijë lekë, ndërsa në fshat 5 mijë lekë. Në një kohë kur çmimi i kilovatëve është rritur që në muajin mars e më pas ka pasuar edhe rritje të tjera, pensionistët e kanë të pamundur përballimin e kësaj situate. "I kemi lënë një muaj kohë qeverisë që të mendojë seriozisht për të na kompensuar për rritjen e çmimeve të energjisë elektrike, kompensim për rritjen e çmimit të bukës, kompensim për rritjen në stratosferë të çmimeve të ushqimeve", tha kreu i Sindikatës së Pensionistëve, Isa Gorica. Sipas tij, shteti nuk duhet të ngrejë çmimet, por duhet të investojë më shumë në sektorin e bujqësisë dhe turizmit. "Në rast se nuk do të kemi kompensime për të gjitha këto rritje, atëherë do të hidhemi në protesta, pensionistët janë shumë", theksoi Gorica. Sipas Sindikatës së Pensionistëve, në këtë pikë është e nevojshme që pensionistët të rimbursohen, pasi pensionin të cilin ata marrin e konsumojnë për produkte ushqimore dhe ilaçe. Janë kategoria më e rregullt në pagesat e faturave, por në të njëjtën kohë janë edhe kategoria që shpenzojnë më shumë për medikamente. Me pensionet që mosha e tretë merr sot, jetesa mbetet e vështirë, sidomos pas rritjes së çmimeve.