Nis nga ndërtimi Fakulteti i ri i Ndërtimit
Pas shumë vitesh premtime merr udhë puna për ndërtimin e godinës së re të Inxhinierisë së Ndërtimit. Është një investim prej afro 150 milionë lekësh, që do t‘u shërbejë 800 studentëve të këtij fakulteti. Aktualisht, studentët bëjnë mësim me tri turne dhe në kushte mjaft të vështira, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike në orët e pasdites. Por, ky nuk është i vetmi problem, mungojnë edhe mjetet e përshtatshme didaktike, siç janë tryezat e punës apo laboratorët mjaft të domosdoshëm për këta studentë që kryejnë projektime. Godina e re sapo ka nisur nga themelet dhe do të përfundojë për afro dy vjet. Ajo do të ndërtohet ngjitur me godinën ekzistuese dhe në projekt është planifikuar edhe lidhja e tyre me anë të një korridori të gjatë. Investimi është i buxhetit të shtetit dhe fondeve të vetë Universitetit Politeknik. Projekti është realizuar nga një studio private, edhe pse bëhet fjalë për një shkollë ku dalin vetëm projektues objektesh. Mësohet se në bazë të ligjit duhej të çelej tender për projektin, ndaj ishte e pamundur që të punonin pedagogët apo studentët e fakultetit për të projektuar godinën e tyre.