Kompensimi financiar i ish-pronarëve mbetet peng i qeverisë
Fondi prej 500 milionë lekësh nuk i është akorduar ende Agjencisë së Pronave. Këshilltari i kryeministrit: “Mund të ketë ndonjë pengesë administrative”
Eljona Ballhysa
Megjithëse qeveria ka miratuar në buxhetin e shtetit për vitin 2008 një fond prej 500 milionë lekësh për kompensimin e ish-pronarëve, ky fond ende nuk i është akorduar Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ndërkohë që mbeten vetëm tre muaj për të përfunduar ky vit, kjo agjenci ende nuk ka në dorë fondin për të nisur procesin e kompensimit. Nëndrejtori i Agjencisë, Genci Çelo, i cili mban dhe postin e drejtorit për Kompensimin, bën të ditur për gazetën “Albania” se Agjencia është në pritje të një vendimi të Këshillit të Ministrave për të nisur procesin e kompensimit financiar për ish-pronarët. Këshilltari i kryeministrit për çështjet e pronësisë, Flamur Kuçi, i pyetur nga gazeta për këtë çështje, shprehet se nuk është në dijeni të detajeve. Sipas tij, në rast se fondi është miratuar si pjesë e buxhetit të shtetit, ai duhej t’i kishte kaluar Agjencisë së Pronave, por vonesat mund të kenë ardhur nga ndonjë pengesë administrative.
Problematika
Sipas Çelos, Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave ka bërë të gjitha përgatitjet për ndarjen e fondit, ndërkohë që është në pritje të miratimit nga qeveria të vendimit për procedurat që do të ndiqen për të realizuar kompensimin financiar të ish-pronarëve. “Ne jemi në pritje të fondit. Ai fond është miratuar dhe është në buxhetin e shtetit, megjithatë ndarja e tij kryhet gjithmonë sipas procedurave që miratohen me një vendim të Këshillit të Ministrave. Deri tani nuk kemi asnjë vendim të Këshillit të Ministrave për fillimin e procedurave të shpërndarjes së këtij fondi. Prandaj ne jemi në pritje”, - është shprehur nëndrejtori Çelo. Ai bën të ditur se nuk ka asnjë informacion nga Këshilli i Ministrave se kur mund të çlirohet ky fond, në mënyrë që t’i hapet rruga procesit të kompensimit financiar të ish-pronarëve. Çelo gjithashtu ka sqaruar se pa u miratuar vendimi nga qeveria, Agjencia nuk mund të vihet në lëvizje për të pranuar kërkesa nga ish-pronarët apo për të shqyrtuar dokumentacionin. Pasi vendimi përcakton të gjithë procedurën që ndiqet çdo vit për këtë proces. Fondi prej 500 milionë lekësh është parashikuar për vitin 2008, ndaj dhe ky fond duhet të ndahet medoemos brenda këtij viti. Nëse kalon afati ky fond digjet. Megjithatë, gjatë viteve të kaluara, Këshilli i Ministrave, në kufijtë maksimalë të skadimit të fondit, ka miratuar vendimin për shpërndarjen e tij, duke përcaktuar dhe afatet për realizimin e procesit të kompensimit financiar.
Kompensimi
Me daljen e vendimit të qeverisë Agjencia e Pronave do të nxjerrë një njoftim për ish-pronarët për datat në të cilat fillon pranimi i kërkesës së tyre për përfitimin e kompensimit. Ish-pronarët duhet të paraqesin në dosjen e tyre vendimin e komisionit të kthimit të pronave, aktin e trashëgimisë, prokurën që i jepet personit për të ndjekur procesin. Më pas Agjencia merret me verifikimin e dokumentacionit të paraqitur dhe pas mbledhjes së informacionit të nevojshëm jepet ose jo konfirmimi për kompensimin financiar apo dhe për kthimin fizik të pronave ish-pronarëve. Sipas zyrtarëve të Agjencisë, pronarët që do të bëhen pjesë e procesit të kompensimit financiar do të jenë ato që paraqesin të parët kërkesë. Pra ndarja e fondit do të bëhet në mënyrë kronologjike dhe jo sipas një përzgjedhjeje të rastësishme.
8 Tetor 2008