Vatnikaj: “Në dy muajt e fundit të 2008-s do të nisë kompensimi fizik i pronarëve”
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Pronave, Tunxh Vatnikaj, ka deklaruar se procesi i kompensimit fizik të ish-pronarëve do të nisë në dy muajt e fundit të vitit 2008. Ai gjithashtu ka sqaruar se nga ky proces do të përfitojnë ata që kanë dorëzuar më parë se të tjerët dosjen dhe kërkesën për kthimin e pronës. “Kjo do të thotë që ish-pronarët, të cilët, për arsye të ndryshme nuk e marrin dot atë pronë që kanë pasur ata ose familjarët prej të cilëve kanë fituar të drejtën e trashëgimisë, do të kompensohen me një pronë tjetër, që shteti do t’ua ofrojmë”, - është shprehur Vatnikaj. Në bazë të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve, duhet të realizohen paralelisht të dyja proceset, si ai për kthimin fizik të pronës, ashtu dhe ai për kompensimin financiar. Por në bazë të ligjit, ish-pronarët përfitojnë kompensim financiar vetëm për 200 metra katrorë truall dhe jo për tokat bujqësore. Ndërsa pjesa tjetër i kompensohet me një pronë fizike, që merret nga fondi i tokave të lira, i miratuar nga qeveria. Afati për përfundimin e procesit të kompensimit financiar apo fizik të ish-pronarëve në ligj është parashikuar viti 2014. Përgjatë tre viteve të qeverisjes së demokratëve qeveria ka akorduar një fond prej 1.5 miliardë lekësh për kompensimin financiar të pronarëve, ndërkohë që procesi i kompensimit fizik nuk ka filluar ende. Në vitin 2005 qeveria miratoi 200 milionë lekë, në 2006-n një fond prej 300 milionë lekësh, në vitin 2007 një fond prej 500 milionë lekësh dhe në vitin 2008 një fond prej 500 milionë lekësh, i cili pritet të përdoret për kompensimin monetar të ish-pronarëve.
8 Tetor 2008