E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skela-Rangelov, konflikti “ballkanas” vazhdon



Qysh nga ndeshja kundër Bokumit (1-1) në shtëpinë e Energi Kobtusit nuk mbizotëron qetësia e plotë. Pak para “bilbilit” të fundit të ndeshjes, të gjithë vunë re një fërkim midis Ervin Skelës dhe bullgarit Dimitar Rangelov, që në “fshehtësi” demonstruan jo pak për syrin e vëmendshëm raportet jo të mira midis tyre. Në dhomat e zhveshjes të Kotbusit, sipas gazetës popullore gjermane “Bild” ende zërat nuk janë shuar rreth konfliktit të fantazistit shqiptar me Rangelovin, pavarësisht se drejtuesit e klubit nga ish-Gjermania Lindore janë përpjekur ta shuajnë atë. Faqja Bild.de bën të ditur se grindja midis sulmuesit Dimitar Berbatov e regjisorit Ervin Skela ka vazhduar edhe ditën para ndeshjes kundër Hamburgut, ku ka pasur edhe kapje duarsh në dhomat zhveshjes, jo në praninë e shokëve të tjerë të ekipit. Grindja midis tyre nisi para dy javësh gjatë ndeshjes për Kupën e Gjermanisë kundër Mënshengladbahut (3-0), kur u bë jo pak debat se kush do ta gjuante penalltinë e tretë dhe të fundit të atij takimi. Rangelov gjuajti të parën, ndërsa Skela shndërroi në gol dy të fundit. “Por a pati sërish një grindje në dhomat e zhveshjes?”, - pyet bild.de. Rangelov përgjigjet: “Unë nuk dua më të flas për këtë çështje. Nuk ishte e mundur të flisja me Skelën për të ndarë pikëpamjen e tij”. Të dy lojtarët, përveç kësaj, qëndruan jashtë formacionit kundër Hamburgut. Rangelov kishte ende probleme pas rikthimit në stërvitje pas dëmtimit, ndërsa titullari Skela u raportua se mungoi për shkak të gjendjes gripale.

Babosh mungon kundër Shqipërisë

Një lajm i mirë për Ari Hanin dhe kombëtaren shqiptare. Portieri i parë i përfaqësueses hungareze, Gabor Babosh, do të mungojë në ndeshjen kualifikuese kundër Shqipërisë, më 11 tetor. Lajmin e bëri publik vetë trajneri Ervin Koeman. Takimi do të luhet ditën e shtunë dhe Babosh nuk është rikuperuar plotësisht. Portieri i NEC Nijmegen në kampionatin holandez ndjen një dhimbje në shpinë. Të hënën, Babosh ishte në spital për të kryer ekzaminimet të mëtejshme. Dëmtimi nuk konsiderohet serioz, dhe besohet se Babosh do të luajë kundër Maltës, më 15 tetor, përpara se të mbushë 34 vjeç, më 24 tetor.

Ujkani bashkohet me Kombëtaren

Saimir Ujkani është bashkuar me Kombëtaren A. Portieri i Palermos në Serinë A dhe Shpresave të Shqipërisë do të zëvendësojë Ilion Likën, i cili ka probleme me muskujt e barkut e portieri i Terek Grozny, bëri të ditur se nuk mund të marrë pjesë. Lajmi për thirrjen e Ujkanit në Kombëtaren A shqiptare është publikuar edhe ne faqen e Palermos, ilpalermocalcio.it. Tashmë, treshja e portierëve të thirrur për ndeshjet kundër Hungarisë e Portugalisë është Arjan Beqaj (Anorthosis, Qipro), Isli Hidi (Alki Larnaka, Qipro) e Saimir Ujkani (Palermo, Itali).

7 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›