E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompensimi financiar për pronarët,në shtator ndahen 17 milionë USD

200 metra është limiti i kompensimit financiar për ish- pronarët. Pritet që kjo sipërfaqe të rritet nisur edhe nga rritja e fondit

Brenda këtij viti do të bëhet shpërndarja e mëse 1.7 miliardë lekëve ose 17 milionë dollarëve për subjektet e shpronësuara. Kompensimi financiar për ish- pronarët do të nisë në muajt e vjeshtës. Ky është siguruar nga buxheti i shtetit si dhe nga privatizimet. Sipas kritereve aktuale, kompensimi financiar do të jetë deri në 200 metra katrorë, por pritet të miratohet një vendim organik, i cili mund të rrisë sipërfaqen e kompensimit. Këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera, pritet të rritet edhe numri i subjekteve që do të përfitojnë kompensimin financiar. Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Cefa, ka bërë të ditur se kompensimi financiar për subjektet e shpronësuara do të nisë në muajin shtator. Sipas tij, AKKP-ja po merret aktualisht me shpërndarjen e fondit për subjektet e prekura nga legalizimet dhe më pas do të nisë procedura për kompensimin financiar për subjektet e shpronësuara. "Menjëherë, sapo të mbarojë ky proces, që shpresoj të mos jetë i gjatë në kohë, Agjencia sigurisht që do të fillojë atë që ka detyrën e vet prioritare, kompensimin financiar të subjekteve të shpronësuara. Ndoshta në kriteret e Vendimit Organik të Këshillit të Ministrave, mund të kemi ndryshime në sensin që të rritet rrethi i subjekteve të cilat do të përfitojnë; çka nënkupton që ndoshta mund të kemi një eliminim të disa kritereve kufizuese, të cilat ishin në vendimet e Këshillit të Ministrave deri tani. Por kjo do t'i mbetet kohës, pasi akoma nuk është informacion përfundimtar", - ka bërë të ditur Cefa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›