PS: Motrat Vokshi, 4 miliardë USD afera, depuetja e PD: Hetim Ramës
Partia Socialiste vazhdoi dje serinë e akuzave për korrupsion ndaj deputetes së PD-së, Albana Vokshi. Me anë të deputetit Besnik Bare, PS ka sjellë fakte të reja për pasurinë e deputetes Vokshi. Sipas Bares, skema korruptive nga e cila përfitonte bashkëshorti i deputetes realizohej nëpërmjet Drejtoreshës së Ministrisë së Ekonomisë, kjo e fundit motra e Vokshit. Deputeti socialist i kërkoi Kryeministrit Berisha të reagojë në lidhje me aferën e denoncuar prej disa ditësh nga PS. "Mimoza Vokshi drejtoreshë sugjeron, Albana Vokshi këshillon dhe Berisha në karrigen e Kryeministrit firmos për burrin e motrës së vogël Vokshi, pra për bashkëshortin e Albanës. Kjo është skema për të përfituar 4 miliardë dollarë pasuri të shqiptarëve. Berisha sot bën mirë të mos heshtë, por të flasë, firmën e ka vënë ai për këto 4 mld dollarë pasuri publike. Berisha sot duhet t'u japë llogari shqiptarëve si ka firmosur pikët bonus, vetëm e vetëm që burri i Albanës të merrte katër koncesione në naftë dhe gaz, po ashtu edhe dy Hidrocentrale", theksoi deputeti i PS. Në dy deklarata të ndryshme, Mimoza Vokshi dhe Albana Vokshi reaguan dhe kërkuan hetim për kreun socialist Edi Rama. Mimoza Vokshi shprehet në deklaratën e saj se "për akuzat e bëra kundër personit tim, zotit Bare do t'i duhet të ballafaqohet me drejtësinë shqiptare. Ndërsa Albana Vokshi tha dje se është e gatshme për çdo hetim, ndërsa kërkoi se do të propozojë komisionin hetimor për Edi Ramën. Hetimi sipas saj, duhet të përfshijë fshehjen e pasurisë, deklarimin e vetëm 3000 euro pasuri, konfliktin e interesit për dhënien e lejeve të ndërtimit nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe njëkohësisht kryetar i PS-së vartësve të tij politikë që sot janë deputetë, përdorimin e drogës si dhe dhunën sistematike të ushtruar ndaj grave dhe marrëdhëniet me të birin", u shpreh Vokshi.