E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensimi i ish-pronarëve në çengel të ALUIZNI-t

18/11/2009  Komisioni i Ligjeve miraton parimisht projektbuxhetin e vitit të ardhshëm

Brenda buxhetit që shteti do të përdorë për kompensimin financiar të ish-pronarëve do të përfshihen kryesisht të ardhurat që do të mblidhen nga procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje. Në këtë fond futen të ardhurat që do të grumbullohen nga procesi i kalimit të pronësisë së shtetit drejt vetëdeklaruesit të parcelave ndërtimore. Sqarimet për këtë pikë i dha përfaqësuesja e Ministrisë së Financave në Komisionin parlamentar të Ligjeve, Vilma Causholli. “Në buxhetin e vitit të ardhshme kemi parashikuar në fond special, tek i cili do të përfshihen pikërisht ato të ardhura nga procesi i legalizimit që sipas rregullimeve me ligj janë përcaktuar t’i shkojnë pikërisht buxhetit të agjencisë për kompensimin e ish-pronarëve”, - tha ajo. Në këtë mënyrë, fondi që do të përdoret për kompensimin e ish-pronarëve do të varet nga këto të ardhura. Komision i Ligjeve miratoi dje në parim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2010”. Sipas tij, buxheti i fondit për kompensimin në vlerë të pronarëve për vitin 2010 është 2 100 000 000 lekë. Nga këto të ardhura të tjera janë parashikuar të jenë 1 400 000 000 lekë dhe transferimet nga Buxheti i Shtetit janë parashikuar në shifrën e 700 000 000 lekë. Për sa i takon transferimit të pronave, në përputhje me politikat decentralizuese, qeveria ka parashikuar që brenda periudhës buxhetore 2009-2010 të përfundojë transferimin e plotë të pronave te njësitë e qeverisjes vendore. Procesi i transferimit dhe administrimit të pronave nga njësitë e qeverisjes vendore shoqërohet me kosto, e cila jep impakte në buxhetin e njësive vendore. E pyetur për të tjera shifra të projektbuxhetit, përfaqësuesja e qeverisë sqaroi se prokuroria këtë vit ka 200 milionë lekë më shumë nga buxhetit i vitit të shkuar. Për sa i takon dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë ajo sqaroi se fondet e parashikuara për ta nuk do të përdoren për të tjera zëra, as nuk do të digjen, por do të transferohen për buxhetin vitit të ardhshëm. Sipas parashikimeve, për vitin e ardhshëm për këtë kategori qeveria shqiptare ka parashikuar 2 000 000 000 lekë, nga 3 170 000 000 lekë që ishte parashikuar në buxhetin e rishikuar të vitit 2009.

Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi në parim këtë projektbuxhet, ku mbledhjes së djeshme përveç kuorumit i mungoi edhe diskutimi në parim i deputetëve rreth tij. Duke nisur që sot, ky komision do të çelë seancat dëgjimore me institucionet kryesore për t’u njohur me pakënaqësitë e tyre (nëse kanë) mbi fondin e akorduar për shpenzimet për vitin e ardhshëm.

Kompensimi financiar 2009

Pas përfundimit nga AKKP-ja të vlerësimit të 521 kërkesave të subjekteve të shpronësuara, qeveria ka vënë në dispozicion fondin për kompensimin financiar për vitin 2009. Fondi i vënë në dispozicion kap shumën 1 miliardë e 274 milionë lekë, më i madhi i vënë ndonjëherë nga qeveria në favor të subjekteve të shpronësuara. Në përfundim të vlerësimit kanë rezultuar fitues nga fondi i kompensimit i këtij viti 211 subjekte të shpronësuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›