E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, ende problematikë për kriminalitetin në Itali

18/11/2009  Ministri i Brendshëm klasifikon peshën e nacionaliteteve të huaja në krime

ROMË- Kriminaliteti shqiptar në Itali, ndonëse ka pësuar ulje në klasifikim, vijon të mbetet në kupolën e problematikës që trajtohet nga agjencitë ligjzbatuese të përtej Adriatikut. Në një raport që po përgatitet së fundmi nga ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, thuhet se në krye të kriminalitetit të nacionaliteteve të huaja janë rumunë që më pas vijohen nga marokenët dhe shqiptarët. Kështu, shtetas të këtyre tre shteteve përbëjnë bërthamën e kriminaliteteve më të rrezikshme në Itali. Ky klasifikim është kryer për vepra penale si vrasje me dashje, përdhunime, grabitje shtëpish e makinash, etj. Më konkretisht me shifra, këto tre nacionalitete të mbledhura bashkë janë përgjegjëse 52 për qind për vjedhjen e makinave, 50 për qind në grabitjen e makinave, etj. Në muajt e parë të këtij viti u konstatua se implikimi i mafies shqiptare me italianët apo krijimi i grupimeve të veçanta që influencojnë në organizimin e krimit të organizuar, tashmë përbëjnë një ndër shqetësimet kryesore përtej Adriatikut. Lajmi i bujshëm u dha nga vetë ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, i cili ndër mafiet e huaja e renditi të parën atë shqiptare si segment kyç i punëve të pista (kryesisht trafiku i drogës e femrave), teksa ndërrimi i liderëve të këtyre organizatave mbetet një tjetër fenomen. Maroni i lëshoi këto deklarata të fuqishme gjatë një raportimi në Komisionin parlamentar të Antimafies, ku përmendi edhe peshën e “Ndranghetës” dhe “Cosa Nostrës” si dy prej gjigantëve të mafies, të gatshme për të ricikluar në çdo rast paranë e pista dhe për të orkestruar sistemin e pushtetit lokal për përfitimet e tyre që arrijnë në miliarda euro. Maroni përshkroi edhe linjat ku janë të shtrira këto organizata që tashmë e kanë shtrirë influencën përveç jugut të Italisë Kalabri, Sicili të njohura si rajonet mëmë, drejt Veriut, ku Lazio është një ndër pikat kyçe. Por alarmi, sipas Maronit, rritet kur mësohet realisht prezenca e mafies së huaj, ku krah për krah italianëve qëndrojnë shqiptarët, të pasuar nga rumunët, kinezët dhe nigerianët. Mafia shqiptare merret kryesisht me trafik droge dhe dërgim prostitutash. Maroni shpjegon se mafiet e huaja po zgjerojnë lidhjet me tradicionalet italiane. Gjatë muajve të parë të këtij viti për pjesëmarrje në organizata mafioze janë arrestuar 329 persona. Në territorin italian janë zhvilluar 27 operacione për krimin e organizuar, ku mes tyre thuajse në të gjitha rastet kanë qenë të pranishëm edhe shtetas shqiptarë. Antimafia italiane gjithnjë i ka konsideruar grupet shqiptare të mafies si të fuqishëm e me lidhje ndërkontinentale. Mënyrat e ekzekutimit të shqiptarëve, anëtarë të organizatave mafioze apo grupeve të organizuara kriminale që operojnë në Itali nuk është edhe aq e ndryshme nga metodat tradicionale që përdorin gjigantët e mafies italiane. Pistoletë e drejtuar në fytyrë dhe shkrepje e menjëhershme, ndoshta me ndonjë mesazh paraprak para të shtënave, teksa motivi mbetet i pandryshueshëm për një hakmarrje të vijueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›