E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurs për studentët dhe gazetarët e rinj



Komisioni Evropian, Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerimin hapi konkursin për Çmimin për Gazetarët e Rinj Evropianë 2010. Për të tretin vit radhazi, konkursi do të shpërblejë gazetarët më të mirë të Evropës, duke pasur në fokus zgjerimin e BE-së. Konkursi Çmimi për Gazetarët e Rinj Evropianë 2010 fton gazetarët dhe studentët e gazetarisë të moshës 17 – 35-vjeçare, të zgjerojnë horizontin e tyre. Ky konkurs është një mundësi për ta që të paraqesin zgjerimin e BE-së nga këndvështrime që ngacmojnë krijimtarinë dhe nxisin mendimin. Konkursi do të jetë i hapur nga data 20 tetor 2009 deri 28 shkurt 2010. Konkurrimet e publikuara në median e shkruar, online dhe në radio mes datave 1 tetor 2007 dhe 28 shkurt 2010, mund të dorëzohen nga shtetasit e njërit prej vendeve anëtare të BE-së, vendeve kandidate, vendeve të mundshme kandidate ose Islandës. Secili nga 36 fituesit kombëtarë do të zgjidhet nga juritë kombëtare të ngritura në secilin vend pjesëmarrës. Më pas, një juri ndërkombëtare do të përzgjedhë tri konkurrimet më të mira në këto kategori: “Pjesa më origjinale”, “Kërkimi më i mirë” dhe “Stili më i mirë gazetaresk”. Secili nga tre fituesit e çmimeve speciale do të fitojë një udhëtim kulturor në një prej kryeqyteteve evropiane, ku ai dëshiron të shkojë. Fituesit e Çmimit për Gazetarët e Rinj Evropianë 2010 do të vizitojnë Stambollin në maj të vitit 2010 në një udhëtim kulturor e historik. Stambolli, një nga kryeqytetet e kulturës evropiane për vitin 2010, u ofron fituesve një vend ideal për të zgjeruar horizontin e tyre përmes një bashkëveprimi ndërkulturor. Udhëtimi do të mbyllet me një konferencë, në të cilën do të shkëmbehen pikëpamje me analistë ndërkombëtarë për kulturën dhe identitetin evropian, si dhe zgjerimin e BE-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›