Kompensohen me naftë
Punëtorët e autostradës, pakënaqësitë e tyre në punë po i shprehin ndryshe nga të tjerët. Paga e ulët, orari i gjatë i punës dhe mosrespektimi i Ligjit të punës nga kompania Bechtel&Enka, po i shtyn ata të plaçkitin këtë kompani.
Raste të shpeshta janë kur punëtorët vendorë, që punojnë për ndërtimin e autostradës Vërmicë–Merdar, po e plaçkitin kompaninë duke ia vjedhur derivatet e naftës. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, vjedhjet e derivateve, nga kosovarët që punojnë aty, janë shpeshtuar kohëve të fundit.
Për këto veprime të punëtorëve, dy ditë më parë, përfaqësuesit e Bechtel&Enkës kanë kërkuar ndihmën e policisë, për t’u mbrojtur nga hajdutët e derivateve.
Të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit, një punëtor i sigurimit të kompanisë amerikano-turke, ka kapur në flagrancë një punëtor të po kësaj kompanie duke vjedhur derivate të naftës në vendin e quajtur “Rrezina”, në afërsi të Suharekës.
Zëdhënësi i policisë në Prizren, Hazir Berisha, tha për Express se kapja e këtyre personave ka ndodhur rreth orës 4 të mëngjesit të djeshëm dhe lidhur me këtë rast, policia rajonale ka nisur hetimet, duke arrestuar fillimisht dy persona.
“Policia e Suharekës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimin e rastit, me ç’rast ka arrestuar A. S. nga Korisha dhe N. S. nga Sllapuzhani. Të dyshuarit po mbahen nën masën e arrestit policor”, tha toger Berisha. Ai tregon se rastet që vjedhin punëtorët e Bechtel& Enkës, janë bërë përditshmëri në këtë kompani.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...