Mbështet Qeverinë
Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, ka thënë të mërkurën se Qeveria e Kosovës ka plotësisht të drejtë të përpiqet të marrë kontrollin në tërë territorin e Kosovës.
Gjatë një vizite në Komunën e Shtërpcës, ai ka kërkuar nga autoritetet kosovare të bëjnë çmos për integrimin e të gjitha komuniteteve.
Qëndrim të njëjtë, Shefi i ICO’së ka shprehur edhe më 26 korrik, një ditë pas intervenimit të policisë speciale të Kosovës në pikat kufitare në Veri.
”Qeveria ka plotësisht të drejtë të përpiqet të marrë kontrollin në tërë territorin, po ashtu çka kam thënë është se Qeveria duhet të bëjë të pamundurën që të integrojë të gjitha komunitete dhe të mbrojë të drejtat individuale të secilit komunitet dhe që të punojë drejt pajtimit”, ka thënë Feith.
Ai ka qëndruar në Shtërpcë me rastin e Ditës së Komunës ku është takuar me kryetarin Bratsilav Nikolic dhe nënkryetarin Beqir Fejzullahu.
Gjatë një prononcimi për media, Feith ka sqaruar se marrja nën kontroll e tërë territorit nuk është çështje që ka të bëjë vetëm me funksionimin e ligjit dhe ruajtjen e pikave kufitare, por ka të bëjë edhe me sigurimin e komunitetit serb, që të ndjehen të mirëseardhur dhe të ndjehen mirë në mjediset ku jetojnë.
Diplomati holandez ka folur edhe për bllokadat e rrugëve në pjesën veriore të Kosovës.
Ai u ka bërë thirrje të gjithëve që të respektojnë marrëveshjet e arritura me KFOR’in.
“Unë do t’u bëja thirrje të gjithëve që t’i respektojnë ato që janë arritur me përpjekjen e zotit Buhler mes përfaqësuesve serbë dhe autoriteteve të Prishtinës dhe të gjitha kushtet që janë në këtë marrëveshje mirëkuptimi të zbatohen sa më parë që të jetë e mundur”, ka deklaruar Feith.
Shefi i ICO’së që përfaqëson 25 shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, është pyetur edhe për njerëzit e armatosur në Veri. Lidhur me këtë, ai tha se përdorimi i forcës dhe dhuna është e patolerueshme.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shmangin dhunën e përdorimin e forcës dhe të respektojnë sundimin e ligjit. Kam besim se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të përkrahë të drejtat e çdo qytetari në Kosovë, pa marrë parasysh se çfarë përkatësie është”, ka thënë ai.
Pieter Feith beson se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë më 5 shtator, datë që është caktuar nga lehtësuesi Robert Cooper dhe është pranuar nga palët, por para aksionit policor në Veri.
“Jam shumë i bindur se mirëkuptimi që është arritur me ndihmën e gjeneralit Buhler do të vazhdojë të jetë në fuqi në mënyrë që t’i përmirësojë gjerat atje, të mbajë situatën e qetë dhe të gjitha palët të punojnë të relaksuara, sapo të vazhdojë dialogu i nisur, i cili do të rifillojë më 5 shtator”, ka thënë Feith.