Beqaj: Mallrat serbe po zëvendësohen pa probleme
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj e ka vizituar të mërkurën komunën e Gjilanit për të parë nga afër efektet e reciprocitetit, me ç’rast kryetari Qemajl Mustafa ka thënë kjo pjesë e vendit gjatë këtyre ditëve nuk ka pasur asnjë pengesë për t’u furnizuar me mallra ushqimorë elementarë.
Pasi Qeveria mori vendim për reciprocitet, ministrat e kabinetit qeveritar po i vizitojnë komunat për t’u informuar lidhur me furnizimin e tyre me mallra dhe nëse ka ndonjë tendencë të keqpërdorimit të situatës nga ndërmarrjet apo individët.
Gjatë qëndrimit në Gjilan, ministri Beqaj ka thënë se reciprociteti duhet të respektohet në tërësi dhe vlerësoi se procesi i zëvendësimit të produkteve të importuara nga Serbia po shkon jashtëzakonisht mirë dhe pas probleme.
“Procesi i zëvendësimit të produkteve të importuara nga Serbia po shkon jashtëzakonisht mirë dhe ka ndërmarrje dhe partneritete të cilat janë duke u ndërtuar nga ndërmarrjet kosovare me ndërmarrje në nivel rajonal dhe kjo po tregon se ndërmarrësit tonë kosovarë janë shumë fleksibil dhe janë shumë të përgjegjshëm për situatën e krijuar dhe kanë treguar një bashkëpunim të jashtëzakonshëm”, është shprehur ai, siç transmeton Kosovapress.
Beqaj ritheksoi se me vendimin për reciprocitetit edhe ndërmarrjeve publike u ndalohet çdo lloj importi i mallrave me origjinë nga Serbia dhe ato duhet të gjejnë rrugë tjera të furnizimit me mallra të nevojshme.
Kurse kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa tha se aplikimi i masës së reciprocitetit me Serbinë nuk ka sjell asnjë problem, por vetëm në furnizimin më kualitativ dhe të bollshëm me artikuj të domosdoshëm ushqimorë dhe të tjerë.
“Prej momentit kur është aplikuar masa e reciprocitetit, në komunën e Gjilanit nuk ka ndonjë pengesë të veçantë sa i përket furnizimit me artikuj ushqimorë themelorë, por edhe me të mira të tjera qofshin ato të mira që vijnë për funksionalizim të bujqësisë, të prodhimeve të tjera të aktiviteteve të tjera ekonomike dhe jetësore”, ka thënë ai.
Një çështje tjetër që është diskutuar në mes ministrit Beqaj dhe kryetarit Mustafa, ishin edhe orientimet afatgjata zhvillimore, qoftë në parapërgatitjet përmes rregullimit të ligjeve.
Ndërkaq ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj me bashkëpunëtorë në kuadër të vizitës në komunën e Gjilanit ka vizituar edhe Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal të Gjilanit “Hidormorava” si dhe fabrikën e çelikut “Mega”, ku ka parë për së afërmi punët që zhvillohen në këto dy ndërmarrje.