E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muriqan, ndalohen dy kosovarë me pasaporta false

Nga Express më 10 gusht 2011 në ora 19:48

Dy shtetas kosovarë janë ndaluar në pikëkalimin kufitar të Muriqanit pasi ishin të pajisur me pasaporta false që u përkisnin shtetasve shqiptarë.

Nga shërbimet e Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, është bërë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve: Ilir Hyseni, vjeç 21, dhe Betim Elshani, vjeç 31, të dy lindur dhe banues në Pejë, Kosovë.

Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë orëve të drekës shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Muriqan konstatuan se këta shtetas në momentin e daljes nga Republika e Shqipërisë, po përdornin pasaporta biometrike Shqiptare me gjeneralitete të shtetasve shqiptare L. D. dhe Xh. G.

Mësohet se dy kosovarët kanë përdorur pasaporta biometrike me identitet të falsifikuar me qëllim që të përfitonin mundësinë e lëvizjes në vendet evropiane të zonës së Shengenit.

Materialet në ngarkim të shtetasve Ilir Hyseni dhe Betim Elshani i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”. /shekulli/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›