E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompjuterat nga Kina, Beja: S’janë porosi e jona

Mbi 37 mijë kompjutera kinezë me marka të falsifikuara, bllokuar para 5 ditësh nga tatimorët e Italisë, nuk janë porosi e Ministrisë së Arsimit, por për subjekte të tjera që nuk kanë lidhje me projektin: "Cilësi dhe Barazim në Arsim" 

TIRANË - “Kompjuterat e falsifikuar nga Kina nuk janë porosi e jona. Kështu ka deklaruar ministri i Arsimit, Fatos Beja. Mbi 37 mijë kompjutera kinezë me marka të falsifikuara, bllokuar para 5 ditësh nga tatimorët e Italisë, nuk janë porosi e Ministrisë së Arsimit, por për subjekte të tjera që nuk kanë lidhje me projektin: "Cilësi dhe Barazim në Arsim", që po realizohet nga ky institucion në shkollat e vendit. Ky fakt bëhet i ditur në një komunikatë publike që kjo ministri ka shpërndarë të enjten. "Në kuadër të projektit "Cilësi dhe Barazim në Arsim" për pajisjen e shkollave me laboratorë kompjuterikë, në datat 21-27 janar 2009 nga pika kufitare e Hanit të Hotit kanë kaluar, janë zhdoganuar dhe janë magazinuar në Tiranë 7.146 kompjuterë të porositur nga MASH-i, të cilët do të shpërndahen së shpejti në shkollat e Shqipërisë. Kompjuterat e bllokuar në Itali nuk janë porosi e jona dhe për këtë projekt", - thuhet në komunikatën e MASH-it. Më tej, në këtë njoftim thuhet se, "aktualisht ne po presim vetëm një ngarkesë me aksesorë, që janë fisha, kabuj, të cilat nuk do të vijnë nga Italia". Para disa ditësh, në Itali u bllokua një kontejner me mijëra komputera me etiketa false të firmave të njohura, nisur nga Kina me destinacion Shqipërinë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›