“Kompleks modern pishinash dhe mbulim të gropave që na ka lënë Vangjush Dako”

Kandidati demokrat për Bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, vijon prezantimin e projekteve
Kandidati demokrat për Bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, prezantoi dje projektin e kompleksit të pishinave që do të ndërtohet në vendin e mbetur shkretë tek pishinat ekzistuese. Më në fund, pas afro 10 vitesh, do të mbyllet një prej paradokseve të qytetit bregdetar. Noti është një nga sportet me traditë në Durrës, por notarët stërviten vetëm disa muaj në vit. Ata stërviten në det gjatë muajve të stinës së verës dhe gjatë pjesës tjetër të vitit, paradoksalisht, notarët bëjnë stërvitje në palestër ose në kushtet e shtëpisë.
Ndonëse ndërtimi i një pishine ishte premtuar që katër vjet më parë nga Vangjush Dako, kryetari aktual i Bashkisë dhe rivali socialist i Xhaferajt, panorama e sotme tregon vetëm gropa. Aq sa kandidati demokrat Xhaferaj u kërkoi përfaqësuesve të mediave “që të ishin të kujdesshëm që të mos përfundonin në fund të gropave apo pishinës së thellë, por bosh”. “Jemi këtu tek këto gropa që na la Vangjushi, tha Xhaferaj, për të deklaruar se i kemi projektet për të ndryshuar Durrësin”.
Kompleks modern pishinash
Kompleksi i pishinave do të ndërtohet me fondin prej afro 5,5 milionë euro dhe do të zërë një sipërfaqe prej 5 000 metër katrorë. Kompleksi do të ketë dy pishina, njëra 25 metra dhe tjetra 50 metra, që të dyja të mbuluara, si edhe të gjitha mjediset e nevojshme të shërbimeve, si: dhoma zhveshje, palestër, salla të ndryshme, impiantin për pastrimin e ujit, etj. Kapaciteti ulës i publikut në kompleks do të jetë 1 500 vende, ndërkohë janë parashikuar edhe hapësirë për 300 vende përkimi për automjetet. Kandidati demokrat tha se “noti është një sport tradicional në Durrës dhe kompleksi i pishinave do të ndihmojë në riaktivizimin e këtij sporti”. Pishinat do t’i shërbejnë klubeve të ndryshme sportive, por edhe publikut. Në bazë të karakteristikave të projektit që paraqiti Xhaferaj, kompleksi i pishinave do të ndërtohet për dy vjet.
Financimi përmes partneritetit publik-privat
Sipas Xhaferajt, “në këtë projekt bashkia e Durrësit parashikohet të kontribojë me rreth 20 përqind të fondit”. “Kompleksi i pishinave do të ndërtohet përmes partneritetit publik-privat, - tha kandidati i koalicionit ‘Aleanca për Qytetarin’, duke ftuar në këtë ndërmarrje edhe kompani publike dhe jopublike. Ne kemi një marrëveshje paraprake me Autoritetin Portual të Durrësit që kjo ndërmarrje të jetë një ndër kontributorët për këtë projekt”.