E Diel, 1 Nëntor 2026

“Të garantojmë siguri në zgjedhje, respektimi i ligjit është primar”

29-04-2011 / Gazeta 55

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani takon drejtuesit e policisë në Shkodër dhe Lezhë


Në takimet që zhvilloi dje me drejtuesit e strukturave policore të qarqeve Shkodër dhe Lezhë, ministri i Brendshëm Bujar Nishani theksoi se krahas ushtrimit të përgjegjësive të përcaktuara në ligj për procesin zgjedhor, punonjësit e policisë duhet edhe të dëshmojnë përgjegjshmëri në kryerjen e detyrës së tyre. “Gjithsecili prej punonjësve të policisë të jetë i qartë për detyrat që ka, duhet të ketë përgjegjësi për veprimtarinë e tij, e po kështu të jetë i përgjegjshëm për veprimet që kryen duke njohur mirë kufirin përtej të cilit nuk duhet të ndërhyjë”, u shpreh ministri Nishani. Ai nënvizoi si detyrë parësore për Policinë e Shtetit garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe të një klime të sigurt që të gjithë qytetarët të ushtrojnë lirisht e të qetë të drejtën e votës. “Partitë politike bëjnë garën e tyre. Për ju udhëheqës është ligji dhe rregullorja. Duhet të garantojmë që qytetarët shqiptarë, pavarësisht bindjeve të tyre politike të ndihen në një ambient të sigurt për ushtrimin e të drejtës së votës”, deklaroi Nishani. Në takimet e zhvilluara në Shkodër dhe Lezhë, ministri i Brendshëm vlerësoi edhe arritjet e strukturave policore në luftë kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe kultivimit të bimëve narkotike. Ministri Nishani përshëndeti gjithashtu edhe kontributin e Policisë së Shtetit në përballimin e situatave të vështira natyrore në këto dy qarqe. “Punonjësit e Policisë së Shtetit duhet të ndihen edhe më shumë të motivuar nga mirënjohja, besimi dhe vlerësimi i qytetarëve dhe i opinionit publik për rezultatet e arritura, për sfidat e përballuara, për kontributin e dhënë. Ju përfaqësoni kredibilitetin e shtetit dhe sa më shumë të forconi këtë kredibilitet aq më shumë keni dhënë kontribut për veten dhe bashkëqytetarët tuaj”, tha ministri Nishani. Në këto takime Ministri i Brendshëm Bujar Nishani u shoqërua nga zëvendësministri Avenir Peka dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Dy ditë më parë ministri i Brendshëm takoi drejtuesit e Policisë së Tiranës, duke kërkuar prej tyre zbatim me përpikëri të ligjit gjatë zgjedhjeve të 8 majit. Nishani kërkoi garancinë e të drejtës kushtetuese të qytetarëve për të shprehur lirisht votën.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›