“Premtimi i pambajtur i Ramës, solli ndotje dhe trafik në Tiranë”

Deputeti i PD-së Fatbardh Kadilli
Ka reaguar dje deputeti i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli i cili përmes një daljeje për mediat akuzoi kryebashkiakun aktual Edi Ramën për mungesën e vend parkimeve në kryeqytet. Në këtë deklaratë për mediat, deputeti i partisë Demokratike, Kadilli deklaroi se mungesa e hapësirave për vend parkime nga ana e Bashkisë është një tjetër premtim i pa mbajtur i Edi Ramës. “Bashkisë së Tiranës iu deshën plot 11 vjet për të bërë dy vijëzime anës rrugës dhe për t’i quajtur ato parkime, madje edhe me pagesë. Ky improvizim i mjerë i Bashkisë së Tiranës, ngushton rrugët dhe i bën hapësirat e kalimtarëve gjithmonë e më të vogla”, theksoi deputeti demokrat Kadilli. Më tej ai nënvizoi se bashkia e Tiranës ka premtuar vazhdimisht se do të krijojë hapësira për parkime publike, qytetarët janë dëshmitarë se ato po vijnë duke u pakësuar çdo ditë e më shumë. Kadilli duke iu referuar qytetarëve, deklaroi se një qytetari që punon në qendër të Tiranës, nëse parkon automjetin anës rrugës, me pagesë, ai duhet t’i paguajë bashkisë së Tiranës në vit plot 2 milionë e 400 mijë lek. Ndër të tjera Kadilli theksoi se si pasojë e mungesës së parkimeve ka rritje të ndotjes së ambientit dhe ndotjes akustike nga dhe rëndimi i trafikut. Deputeti i partisë Demokratike, Kadilli bëri thirrje se qytetarët e kryeqytetit kanë nevojë për një kryebashkiak që mendon dhe punon për ta dhe jo një kryebashkiak si Edi Rama i cili është i interesuar vetëm pas betejës politike kombëtare dhe nuk i intereson as qytetari i Tiranës e as mirëqenia e tij, aq më pak ndotja dhe gjelbërimi. “Kjo situatë duhet të ndryshojë. Tiranës i duhet një kryebashkiak për qytetin”, përfundoi këtë deklaratë për mediat deputeti demokrat Fatbardh Kadilli.
...