E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompleksi i inferioritetit intelektual

Në Shqipëri, llomotitjen e kanë importuar nga Italia, kurse në Kosovë e kemi importuar nga Shqipëria”, tha këto ditë një intelektual, krijues e profesor fakulteti, në një nga gazetat e përditshme në Kosovë.
Është e vërtetë që në mediumet tona, çdokush flet për gjithçka, anipse ato fjalë nuk përçojnë mendime. Por shkaku i llafollogjisë kosovare nuk është aty ku ai pretendon. Në qoftë se Shqipëria importoi llafollogjinë nga Italia, atëherë shtrohet pyetja se nga e importuan italianët? Dhe duke deklaruar kështu, intelektuali ynë dha mundësi interpretimi në lidhje me mungesën tonë të “importit” nga Serbia, sepse vështirë të besohet që nga ky vend, vetëm mallra me shumicë e pakicë importojmë?!
Nuk dua të bëj këtu krahasime, por fjalët e këtij profesori më kujtuan padashur, sulmet e propagandën tonë të viteve të 80-ta kundër Shqipërisë për eksportin e saj të nacionalizmit në Kosovë. Importi ynë i muzikës, artit, letërsisë e deri tek shtypi ilegal, cilësoheshin si vepra penale kundër interesit të kombësisë shqiptare e kundër vëllazërim-bashkimit. Janë me qindra-mijëra që u persekutuan dhe u dënuan për leximin e literaturës nga Shqipëria.
Roli i Shqipërisë në ngritjen tonë kulturore është i madh. Si shembull më konkret është “konvertimi” i shumicës së këngëve të krijuara atje si këngë të autorëve kosovarë! Dhe asnjëherë nuk dëgjuam dikë në Shqipëri të akuzojë kosovarët për “plagjiat”, sepse ata sigurisht e kanë kuptuar që kjo vjedhje ishte, në instancë të fundit, me vlera pozitive, e cila ndikoi në zhvillimin e muzikës në Kosovë! Asnjëherë nga atje nuk u akuzua Kosova, që në periudhën e Rilindjes kombëtare nuk kishte asnjë shkrimtar, ose kishte gjithsej një apo dy etj., etj! E pse tash ne të akuzojmë ata për “importin” tonë të llafollogjisë prej atje?
Po, ka shumë llafollogë, e gjithë bota ka njerëz të tillë, ashtu siç ka shkrimtarë e poetë e libra me shumicë.... Edhe grekët flasin shumë, italianët po, popujt hispanikë, gjithashtu, janë popuj me temperament! Por llafollogjia është më e theksuar tek popujt e pazhvilluar, është pjesë përbërëse e nivelit të ulët të mendimit! Dhe dihet produkt i cilave rrethana politike e historike është niveli i lartë i llafollogjisë. S’ka këtu import, as eksport!
Këta intelektualë, mbështeten në teorinë se e vërteta nuk mund të dëmtojë të drejtën, në këtë rast të drejtën e bashkimit kombëtar. Por jo gjithmonë deklarimi i një të vërtete është në shërbim të bashkimit kombëtar, por jo të gjitha “të vërtetat” kanë të njëjtin efekt, sidomos kur të “vërtetat” e tjetrit shihen nga aeroplani e të vërtetat e tua nuk shihen as nga afërsia milimetrike.
Natyrisht që atje ka llafollogji me përmasa të mëdha, siç është e vërtetë që në çdo vend, më pak të zhvilluar, ky fenomen është më i shtrirë. Edhe ndikimet reciproke janë të pashmangshme. Por të “nënçmosh” një vend, në këtë rast vendin tënd “fqinj”, duke u fshehur pas termit “import”, nuk është gjë tjetër përveçse kontribut për të realizuar qëllimin e armiqve të bashkimit kombëtar. Megjithëse, ajo që ka thënë ky profesor universiteti, nuk është fare e vërtetë, sepse s’ka asnjë argument, sado që ai mund të ketë bërë “studime të larta” në këtë drejtim! E keqja është se ky nuk është i vetmi intelektual që mendon kështu. Janë një armatë e tërë intelektualësh, të cilët kanë kontribuar në krijimin e një opinioni përçarës, duke lançuar ide se ne jemi më të mençur, se kemi intelektualë më të mëdhenj, se ata kështu e ashtu! Janë veprat konkrete ato që tregojnë “epërsinë”, e jo fjalët me të cilat mashtrohemi aq lehtë! Është e kundërta! Në Kosovë vlerësohen shumë, pikërisht llafazanët e Shqipërisë. Në jetën time ka shumë raste që kam vërejtur vlerësimin e madh ndaj atyre që në Shqipëri vetëm flasin e s’bëjnë asgjë për Kosovën e akuza ndaj atyre që veprojnë e nuk flasin për Kosovën! Mburravecllëku është barometri më i saktë i paaftësisë së një shoqërie!
Duke folur kështu, intelektuali ynë nuk bëri gjë tjetër veçse nxori në sipërfaqe paragjykimin klasik të “inteligjencës sonë qytetare” në raport me “inteligjencën katundare të Tiranës”, që e ka burimin tek propaganda e gjatë jugosllave, e mbështetur dikur nga intelektualët komunistë të Kosovës të tipit të Sinan Hasanit e Azem Vllasit.
Një poet nga Tirana më tha se “nuk e njoh këtë intelektual”... I thashë se këtu njihet në qarqet “intelektuale”, universitare, dhe në përgjithësi në rrethet krijuese. Ky është shumë më i mirë se shumë të tjerë, por ja që “padashur” ka nxjerrë në sipërfaqe kompleksin e inferioritetit tonë në raport me Shqipërinë dhe është rreshtuar me shpirtin e vogël, që ka vështirësi të shkëputet nga nostalgjia e kohës së “artë” jugosllave!
*Gazetar, ish-themelues i FRESSH

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›