Bashkëqytetarë, mos kujtoni se po trajtoheni më mirë se romët
Por, në mënyrë të gabuar, shumë shqiptarë mendojnë se nuk ka diskriminim, nëse të gjithë diskriminohen njësoj. Prej vitesh kemi parë që në Shqipëri askush nuk ndihmon askënd. Nëse një shtresë në nevojë shkelet me këmbë, shtresat e tjera në nevojë nuk i vijnë në ndihmë. Secili sheh hallin dhe nevojën e vet, dhe të gjithë bashkë nuk shohim hallin e askujt”...
Kjo është një pjesë e letrës së shkruar nga disa të rinj romë e egjiptianë drejtuar bashkëqytetarëve shqiptarë, për shkak të dëbimit nga vendbanimet e tyre te “Artistikja”. Siç shihet në pasazhin e mësipërm, letra kërkon të yshtë sadopak sensibilizimin e opinionit publik, duke e vënë gishtin në një plagë të shoqërisë, në plagën më të infektuar dhe më endemike të saj: në mungesën e theksuar të solidaritetit njerëzor, të apatisë vetëvrasëse të opinionit publik, të mendësisë prej kërmilli të qytetarit të sotëm, i cili nuk e sheh veten pjesë integrale të komunitetit e shoqërisë, sa kohë atë dhe familjen e tij nuk e ka kapluar rrezik-paniku i mbijetesës.
Por qëndrimi çnjerëzor ndaj romëve të dëbuar me metoda naziskine nga çadrat, edhe pse është përcjellë me indiferentizëm nga opinioni publik, pse jo edhe nga mediat, është i njëjtësuar me çështje të tjera, si p.sh. me “indiferentizmin” për ekzekutimet kriminale të demonstruesve paqësorë para Kryeministrisë më 21 janar, për hedhjen në erë të Gërdecit, apo edhe ndaj aksidenteve të përditshme me plagosje apo me vdekje të minatorëve në Bulqizë etj., etj. Pra, kjo shpërfillje nuk ka theks të mirëfilltë racist aq sa politik.
Indiferenca e qytetarëve shqiptarë është pasojë e trysnisë së politikës diskriminuese qeverisëse në këto vite të tranzicionit, kur qytetari, pavarësisht nga raca, ngjyra, feja, arsimimi, aftësitë, kultura, zanati apo edhe prejardhja, është trajtuar si një emigrant pa identitet, pa dokumente të rregullta e pa lejeqëndrimi në vendin e vet... Në një farë mënyre, jo vetëm figurative, ne të gjithë ndihemi dhe trajtohemi si “romë”... Jemi “romë”, apo “evgjitër” (të më falin për këtë përdorim të fjalorit pezhorativ), në kuptimin se, ai që ka pasuri dhe pushtet, ai që gëzon lidhje nepotike, ai që është i lidhur me partinë në pushtet, pra ai që është mercenar, “mik me kokë” e “qëndrestar” i vetëshpallur me një nga më të mëdhenjtë e politikës, sot automatikisht do të gëzojë imunitet, pasuri, punësim dhe siguri më shumë se ne, qytetarët e pabarabartë me ta.
Kjo na ka bërë “indiferentë”, “mospërfillës”, “zemërgurë”, njerëz pa pikë dhembshurie e solidariteti. Nuk besoj se jemi të tillë, edhe pse dukemi shpesh si të pashpirt. Sepse shumica e qytetarëve të sotëm luftojnë për mbijetesë e jo për një jetesë më të mirë, me standarde evropiane, (kjo hë për hë do të duket si marrëzi e si kotani!), e, ndoshta, për këtë shkak, nga zhgënjimi dhe nga mosbesimi shumica ndër ne nuk ka besim as te politika, as te përfaqësuesit e zgjedhur, as te qeveria, as te gjyqësori, as te barazia para Ligjit, as te policia, as te protestat, as te reagimi qytetar. Rrezik as te njëri-tjetri.
Këtë, besoj, askush nuk e vë në diskutim.
Sigurisht që halli-hallit nuk i ngjan. Të jetosh në çadër e të mbetesh pa të, të mbledhësh plehra në Sharrë e mos të të lejojnë të nxjerrësh kotheren e bukës ditore me kanoçe, nuk është vuajtje e persekutim i barabartë me atë që pushohet nga puna për arsye politike, i cili, gjithsesi e ka një çati e një jatak ku të fusë kokën. Jo se shqiptarët nuk e kanë genin e racizmit në deje, por e vërteta është se tek ne nuk ka pasur kurrë pogrome, geto, spastrime, luftëra etnike, racore dhe fetare, persekutim të pakicave, dallime e diferencime të thikta jug-veri, madje as lagje ku ndalohej “me ligj” të shkruar e të pashkruar hyrja e qenve dhe e ”zezakëve” (tek ne, kupto: e magjypëve, ose e evgjitëve...). Në vend që pluralizmi të na i shuante këto dasi në miniaturë, të trashëguara ca nga diktatura e ca nga mendësia orientale, na e theksoi qëllimisht hendekun. Fatkeqësisht politika nuk na ndihu të njëjtësohemi, të bashkohemi, të barazohemi para Kushtetutës dhe të drejtave universale të njeriut, të mbrothësohemi, të jetojmë, të bashkëpunojmë e veprojmë si komb e si komunitet, por na ka përçarë edhe më.
Na ka hapërdarë e hasmosur me njëri-tjetrin për arsye partiake e politike, - ti je me Ata e nuk je me Ne! - për të na sunduar më lehtë e më kollaj. Në këtë kuptim shumëkush sot ndihet “rom”... Ndihet jashtë loje. I panevojshëm. I tëhuajtësuar. I padobishëm. Pikërisht kjo ndjesi pafuqie e kjo bindje kotanie na e ka shuar e vdirrur shqisën e kundërshtisë, bashkë me nevojën për të vepruar e menduar me solidaritet.
***
Nëse mungesa e solidaritetit të qytetarëve ndaj dëbimit naziskin që po u bëhet romëve buron nga arsyet e mësipërme, qëndrimi i qeverisë, i pushtetarëve të Ministrisë së Punës dhe Shanseve të Barabarta, si dhe të atyre, lokalë, të Bashkisë, nuk mund të quhet akt amoral, i papërgjegjshëm, madje as racist, por mirëfilli korruptiv dhe, pse jo, edhe kriminal. Sepse ngjarja në fjalë nuk është as e re, as e papritur dhe as e panjohur. E njëjta situatë dramatike ka ndodhur edhe një vit e gjysmë më parë. Romët medemek u sistemuan, pas ndërhyrjes së Avokatit të Popullit, në një repart ushtarak të braktisur afër Kombinatit të Tekstileve.
Por, si deklaruan vetë përfaqësuesit e romëve, aty nuk paska as drita, as ujë, as kushte minimale sanitare (më së paku ato që u ofron bregu i lumit...), ndaj ata janë ndjerë më mirë e më të siguruar të vetësistemohen buzë Lanës, nëpër çadra... Por as aty nuk u lanë... U dëbuan. Nuk u lanë të jetonin as në atë gjendje mjerane, edhe pse, që atëherë e deri tani, për t’i sistemuar, për t’u krijuar kushte disi më humane, qeverisë i qenkan akorduar ndërkohë nga Brukseli mbi tre milionë euro, pa përmendur në këto njëzet vite, qindra milionë euro të tjera që janë derdhur për OJF-të përkatëse... Por as instalime elektrike, as ato të ujërave të bardha e të zeza, madje as mbulimi i çative që të mos hynte era dhe shiu nuk janë kryer... Dhe kulmi është kur, me një cinizëm e pafytyrësi të paparë, një zëdhënës i Ministrisë së Shanseve të Barabarta (??) del e thotë para kamerave, në emër të kësaj Ministrie (“të Shanseve të pabarabarta për të vjedhur”): Ju lutemi, mos e politizoni çështjen e romëve!
Tek ne nuk ka prokurori e gjykatë që të bëjë një gjë fare të thjeshtë: të hetojë, më së paku, ku kanë shkuar këto miliona euro! Që këtu do të niste udhën e mbarë solidariteti njerëzor, besimi te Drejtësia dhe nevoja për të mbrojtur njëri-tjetrin, edhe kur nuk e kemi pësuar vetë në kurriz! Neve na mungon kjo bindje, ky mirëbesim, prandaj po, është e vërtetë, të gjithë ne jemi “romë”!
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)