E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompozitori Gazmend Mullahi, sjell albumin “Qiellit i flas”



Para pak ditësh doli në treg albumi me këngë të zgjedhura nga krijimtaria e kompozitorit të mirënjohur të muzikës së lehtë shqiptare Gazmend Mullahi “Qiellit i flas”. Muzika e lehtë shqiptare nuk mund të duket e plotë pa muzikën e Mullahit dhe anasjelltas, Gazmendi si temperament dhe karakter njerëzor nuk mund të mendohet dot pa muzikën.
Vitet e fundit kur komercialiteti dhe truket e industrisë muzikore kanë dominuar jetën kulturore shqiptare, është pikërisht publiku, falë shijes, formimit dhe identitetit të tij kombëtar i cili, po u rikthehet vlerave me të qëndrueshme të atyre personaliteteve të artit, të cilën me veprën e tyre krijuan atë trashëgimi kulturore e shpirtërore, që sot u jep dallueshmëri dhe prestigj shqiptarëve ne mozaikun e kulturës evropiane, kudo ku ata jetojnë. Dhe ishin pikërisht kërkesat e shumta të artdashësve, kryesisht brezit të ri, ata faktorë që ndikuan në publikimin e këtij albumi, duke sfiduar në këtë mënyrë artin sintetik dhe tingullit të përftuar me anë të teknologjive të larta kompiuterike.
Në muzikën e Mullahit, ndihet origjinaliteti i papërsëritshëm, frymëmarrja që përcjell peizazhi shqiptar, me dinamikën që mbizotëron në natyrën dhe relievin e Shqipërisë. Ndoshta janë këto disa nga arsyet pse meloditë e Gazmend Mullahit, përshkonin bulevardet e qyteteve të Shqipërisë, plazhet, sallat e koncerteve, pelegrinazhet e të rinjve edhe në ditët e sotme. E veçanta e muzikës së këtij kompozitori qëndron në faktin se krijimtaria e tij është shumë e vështirë të datohet, pasi kur arti i kushtohet ndjenjës më sublime të shpirtit njerëzor, dashurisë, ai i përthyen konturet e kohës kur është krijuar dhe komunikon me publikun e çdo moshe, e çdo epoke, duke dale përtej një jete njerëzore. Në notat e tij ndihet shkrirja e sentimentit shpirtëror me materien, c' ka është një tregues për ndërthurjen e dy komponentëve tejet të rëndësishëm, krejtësisht bashkudhëtarë në ekzistencën e tyre: së përjetshmes dhe së përkohshmes. Ky edicion përmban rreth 30 këngë, ku ndër më të njohurat, ato të cilat sot konsiderohen si hite të muzikës së lehtë shqiptare, mund të përmendin: “Dashuria”, në interpretimin e këngëtarit Robert Alia, “Mimoza e dashurisë” - e interpretuar nga këngëtarja Adriana Ceka, “Ora e qytetit tim”,” Ti mbetesh pranvera” e së mirënjohurës Lindita Theodhori, “Ç'ti them vellait” - e kënduar nga Nertila Koka, “Ktheu për vete për mua” - nën interpretimin e suksesshëm të Eranda Libohovës. Surpriza e këtij albumi ka të bëjë me faktin se për herë të pare, publikohen duke qenë pjesë e tij , dy materiale muzikore të interpretuara mrekullisht nga muzikanti i famshëm, Gasper Curcija, me trombë, i cili vlerësohet edhe pas vdekjes së Curcisë, si instrumenti magjik i tij. Albumi, para së gjithash është një ndihmesë me vlerë, për publikun e çdo gjenerate, për kritikët e artit, për katedrat e muzikës në Akademinë e Arteve, Liceun Artistik dhe shkollave të muzikës brenda dhe jashtë Shqipërisë. Me anë të publikimeve të tilla, kultura shqiptare në tërësi dhe muzika në veçanti, fitojnë përmasën e duhur, në ato nivele të larta ku e ngritën emrat e shquar të kompozicionit, të cilët publiku me të drejtë i nderon, për atë imazh civilizues që i dhanë kulturës dhe shoqërisë shqiptare.

21 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›