E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompromisi, Cooper presion mbi Prishtinën

PRISHTINE- Lehtësuesi evropian i dialogut Prishtinë Beograd, Robert Cooper ndalet sot në një vizitë në Prishtinë, me synim gjetjen e një formule se si do përfaqësohet Kosova në nismat rajonale.

Kjo vizitë e Cooperit është vazhdimësi e përpjekjeve të tij për të arritur kompromis për temën e quajtur bashkëpunim rajonal e që në fakt është tashmë tema e ashtuquajtur çështja e emrit, sepse kërkohet që palët të pajtohen se me çfarë denominimi Kosova do të merrte pjesë në nismat rajonale dhe si do të shkruhej emri i saj në dokumentet përkatëse në këto nisma.

Një marrëveshje e tillë, thonë në BE, është kusht i qartë për Beogradin që të marrë statusin e kandidatit, por është edhe në interes të Prishtinës. Sipas të njëjtave burime, ajo që do të dilte eventualisht si kompromis mes Beogradit dhe Prishtinës do të mund të përdorej si zgjidhje edhe nga Bashkimi Evropian i cili, për shkak të pesë shteteve që nuk e njohin Kosovën, nuk mund të arrijë dhe të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën si shtet dhe me emërtimin kushtetues të saj si Republika e Kosovës.

Edhe pse disa ambasadorë të vendeve perëndimore në Kosovë kanë thënë se edhe vendet e tyre marrin pjesë në takime pa u përmendur emri i plotë kushtetues i shtetit, në traktatet dhe marrëveshjet të cilat i nënshkruan BE-ja, ato nënshkruhen me emrin e tyre të plotë kushtetues. (Koha Ditore)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›