Shkup, nuk ka BE me tensione ndëretnike
Maqedonia nuk mund të synojë integrimin në strukturat veri-atlantike përderisa raportet ndëretnike dhe ato ndërfetare janë të brishta dhe nuk synojnë tolerancë dhe kultivimin e bashkëjetesës mes dy etniteteve më të mëdha, thonë analistët politikë, duke theksuar se incidentet që kanë për bazë konfliktin, gjithmonë shfaqen para samiteve të NATO-s.
Ismet Ramadani, nënkryetar i Këshillit Euroatlantik, thotë se tensionimi i raporteve ndëretnike dhe atyre ndërfetare është inskenuar nga strukturat udhëheqëse të vendit, për të alarmuar faktorin ndërkombëtar para samitit të NATO-s në Çikago, që të pranohet me referencën IRJM (ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë), në të kundërtën kërcënohet stabiliteti i brendshëm që mund të marrë dhe përmasa më të gjera.
Në një mënyrë është një formë e gabuar për të alarmuar faktorin ndërkombëtar se maqedonasit, gjegjësisht Maqedonia është e rrezikuar nga trazirat e brendshme vetëm e vetëm pse ndërkombëtarët nuk janë aq të kujdesshëm, respektivisht shumë pak angazhohen që Maqedonia të anëtarësohet në strukturat veri-atlantike pa e ndryshuar emrin, ose pa arritur kompromis për emrin me Greqinë, thotë Ramadani.
Me qëndrim të ngjashëm shprehet edhe Izet Zeqiri nga partia shqiptare në opozitë, Rilindja Demokratike Kombëtare. Zeqiri pohon se konfliktet ndëretnike shfaqen zakonisht para samiteve të NATO-s. Historia tregon se në Maqedoni ka pasur tensione ndëretnike dhe turbulenca që ti jepet një mesazh faktorit ndërkombëtar se në vend është e kërcënuar siguria dhe organizatat ndërkombëtare NATO, duhet të shqyrtojnë mundësinë e presionit që Maqedonia të afrohet kah kjo strukturë duke mos marrë për bazë kushtin që të zgjidhë kontestin me emrin, pohon Zeqiri. (rel)