Komuna Finiq/KQZ shpall fitues kandidatin e Partisë MEGA, Ziso Lluci

Vlerësimi i fletëve të kontestuara në 2 Qendra Votimi, përmbysin epërsinë e një vote të kandidatit të PBDNJ-së, duke shpallur fitues të komunës Finiq kandidatin e partisë MEGA, Ziso Lluci me 6 vota më shumë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur fitues të zgjedhjeve në komunën Finiq të Delvinës kandidatin e partisë MEGA, Ziso Lluci. Në mbledhjen e djeshme KQZ mori në shqyrtim kërkesën e MEGA-s, forcë kjo politike pjesë e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, për vlerësimin e fletëve të kontestuara dhe pas numërimit kandidati i kësaj partie rezultoi me më shumë vota se kandidati i PBDNJ-së, Sokrat Spiro. Ishin pikërisht fletët e kontestuara nga Komisionet Zonale Zgjedhore, të cilat përmbysën rezultatin për zgjedhjet lokale në komunën Finiq.
Ky ndryshim i rezultatit erdhi pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë në konsideratë pretendimin e partisë MEGA, për të vlerësuar 25 fletë të kontestuara në 2 Qendra Votimi. Me numërimin e fletëve të kontestuara në favor të kandidatit të partisë MEGA, Ziso Lluçi kanë shkuar 6 vota më shumë, duke bërë që rezultati që ishte me një votë kandidati i PBDNJ-së, të përmbyset. Në këto kushte, meqenëse votimi i tabelës përmbledhëse nuk mori kuorumin e duhur prej 5 votash në KQZ, do të jetë partia MEGA ajo që do të ankimojë këtë rezultat në Kolegjin Zgjedhor. Kësisoj, pas numërimit të dy qendrave të votimit, atë numër 4631 dhe 4626 kandidati i MEGA-s, Ziso Lluci u shpall fitues i zgjedhjeve vendore në komunën Finiq të Delvinës. Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hedhur poshtë kërkesën e partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, për të shpallur të pavlefshëm zgjedhjet e pjesshme vendore në komunën Finiq të Delvinës. KQZ ka votuar me 4 vota “pro” rrëzimit të kërkesës së PBDNJ-së, për pavlefshmëri të zgjedhjeve të 31 korrikut, ku kandidati i saj Sokrat Spiro fitoi vetë me një votë ndaj kandidatit të MEGA-s.
Në fjalën e tij kryetari i KQZ-së Arben Ristani e cilësoi si të pabazuar në ligj kërkesën e PBDNJ-it për pavlefshmëri duke kërkuar që ajo të hidhet poshtë edhe nga anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Kërkesa është e pabazuar në prova, në ligj dhe për më tepër që shkeljeve të ligjit nuk mund t’i japë kënaqësinë që t’i quajë të pavlefshme këto zgjedhje”, theksoi Ristani.
Në zgjedhjet e pjesshme lokale të 31 korrikut, procesi i votimit nisi në orën 09.00 për shkak të dëmtimit të vulës së komisionit, e cila u zëvendësua me një të re, pas transportimit urgjent që iu bë me helikopter. Kreu i KQZ-së tha se dëmtimi i vulës nga kryetari i komisionit ishte i qëllimshëm dhe zëvendësimi i saj ishte shkaku i vonesës së nisjes së procesit.
“Kërkesa është e pabazuar në prova, në ligj”, tha Ristani.
Nga ana tjetër, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, tha se nisja me vonesë e procesit të votimit në komunën Finiq ishte në shkelje të ligjit.
“Vonesa e mbërritjes së materialeve zgjedhore rreth 2 orë ka ndikuar në rezultatin maksimalisht të ngushtë”, tha Subashi.
Në përfundim, KQZ miratoi me 4 vota “pro” rrëzimit të kërkesës së PBDNJ-së për pavlefshmëri të zgjedhjeve të 31 korrikut si dhe shpalli fitues të zgjedhjeve vendore të 31 korrikut për komunën Finiq kandidatin e partisë MEGA, Ziso Lluci, i cili garoi përballë kandidatit të PBDNJ-së, Sokrat Spiro.