Ndryshimi i Kodit Zgjedhor, i domosdoshëm - partitë politike të nisin bashkëpunimin

Arben Ristani, kreu i KQZ-së
Reforma zgjedhore duhet të fillojë së pari, sa i përket përbërjes së komisioneve të të gjitha niveleve. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani në një prononcim për mediat, ka thënë se megjithëse partitë politike, e kanë hartuar Kodin Zgjedhor, sërish akuzojnë për institucionet si të varura politikisht. Në këtë mënyrë, Ristani mendon që për të shmangur situata të tilla, duhet punuar për pavarësinë e këtyre hallkave zgjedhore. Ristani ka deklaruar se të gjitha vendimet e marra nga KQZ-ja janë në përputhje me ligjin. Duke u ndalur tek periudha parazgjedhore, kreu i KQZ-së theksoi se kjo periudhë është karakterizuar nga tensioni politik.
“Procesi organizativ është karakterizuar nga një tension politik, që pengon zhvillimin e zgjedhjeve. Do e karakterizoja periudhën parazgjedhore, periudhë të shoqëruar me tension të panevojshëm politik. Ne arritëm të krijonim infrastrukturën zgjedhore dhe të kishim ditë zgjedhjesh, pothuajse të mirë”, u shpreh Ristani.
Për sa i përket procesit të numërimit, Ristani deklaroi se ky proces ishte i mirë, edhe pse me defektet që dihen, por që nuk u bllokua siç ka ndodhur më parë.
“Kishte 2 parakushte që na penguan, tensioni politik dhe mungesa e anëtarëve. U detyruam që të punonim me aktet që KQZ-ja i kishte nxjerrë në vitin 2009. Jam i bindur që zgjidhja që dha KQZ-ja ishte ligjore, e paanshme dhe që i rezistoi gjyqësorit”, vuri në dukje kreu i KQZ-së, Ristani.
Akuzat e ngritura nga opozita ndaj anëtarëve të KQZ-së, Ristani i cilësoi të pabaza.
“Akuzat kanë qenë të pabaza. KQZ-ja është transparent dhe në sytë e të gjithëve për çdo veprim që kryen dhe për çdo akt që merr. Edhe raportet e ndërkombëtarëve, ato që kanë dalë për 2009-ën, kanë qenë të mira. Kritikat nuk janë për menaxhimin e zgjedhjeve nga KQZ-ja, të paktën kritikat për zgjedhjet parlamentare të 2009-ës, kanë qenë për forcat politike, sesi ato konfrontoheshin me procesin zgjedhor. OSBE-ja ka thënë se puna ka qenë e paanshme dhe transparente. Edhe raportet paraprake kanë evidentuar transparencën, nga ana tjetër nuk pres kritika të forta, pavarësisht se raporti nuk ka dalë akoma”, deklaroi më tej kreu i KQZ-së, Arben Ristani.